Këshilli i Ministrave ka përgatitur një projektvendim i cili parashikon ndryshime thelbësore në rregulloren e zhvillimit të territorit, miratuar fillimisht në vitin 2015. Dokumenti i ri, i propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, synon një centralizim më të madh të vendimmarrjes tek Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), vendosjen e afateve të reja për lejet e mbetura pezull ndër vite, si dhe rikonfigurimin e procedurave për ndryshimin e zhvilluesve dhe regjistrimin e pronave.
Fuqizimi i KKTU-së dhe ndërhyrja në projekte
Ndryshimet e reja ligjore i japin KKTU-së kompetenca të zgjeruara për të ndërhyrë drejtpërdrejt në projektet e paraqitura për leje zhvillimi. Sipas draftit, autoriteti qendror do të ketë të drejtën të kushtëzojë zhvilluesit privatë për të përfshirë funksione me interes publik ose shërbime të caktuara brenda projekteve të tyre.
Dokumenti saktëson këtë kompetencë të re të KKTU-së duke theksuar:
“KKTU-ja mund të përcaktojë ndryshime në projekt që lidhen me krijimin e hapësirave publike apo shtimin e funksioneve publike në projekt, si: kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, ambiente postare etj, apo funksione të tjera, si hoteleri, shërbime akomoduese etj.”
Për më tepër, drafti i ndalon rreptësisht autoritetet vendore të lëshojnë leje ndërtimi për pasuritë private që janë destinuar si hapësira publike (sheshe, parqe), duke e lënë këtë mundësi vetëm si atribut rishikimi nga KKTU-ja, dhe vetëm për subjektin që ka përfituar lejen fillestare.
Rregullat për lejet e skaduara dhe rreziku i konfiskimit
Një seksion i rëndësishëm i draftit u dedikohet atyre lejeve të ndërtimit të cilave u ka mbaruar afati dhe punimet e të cilave kanë filluar prej më shumë se pesë vjetësh, por ende nuk kanë përfunduar.
Qeveria ka hapur një dritare ligjore për shtyrjen e afatit të këtyre lejeve (me një afat aplikimi deri në janar të vitit 2027), por ky proces do të shoqërohet me kushte të rrepta, përfshirë pagesën e gjobave përkatëse dhe deklaratat inxhinierike mbi qëndrueshmërinë e objektit. Nëse zhvilluesit neglizhojnë këtë procesdure, qeveria parashikon marrjen e masave ekstreme, duke iu referuar rregullave të konfiskimit:
“Në rast se subjektet zhvilluese apo subjektet që kanë përfituar të drejtat e zhvillimit nuk aplikojnë për shtyrje të afatit… do të zbatohen rregullat për konfiskimin sipas parashikimeve të vendimit nr.589, datë 7.9.2022, të Këshillit të Ministrave, ‘Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi’.”
Ndryshimi i zhvilluesit dhe regjistrimi i njësive të brendshme
Për të shmangur abuzimet dhe tregtimin e lejeve të ndërtimit në faza të hershme letre, rregullorja e re kushtëzon kalimin e së drejtës së zhvillimit tek të tretët. Drafti përcakton se një ndryshim i tillë mund të kryhet vetëm pasi objekti të ketë marrë formë në bazamentin e tij:
“Subjekti zhvillues dhe subjekti përfitues mund të kërkojnë pranë autoritetit, që ka miratuar lejen e ndërtimit, në sistemin e-Leje, ndryshimin e subjektit zhvillues të lejes së ndërtimit, vetëm pasi të ketë përfunduar fazën e tretë të akteve të kontrollit e, konkretisht, përfundimin e themeleve/ kuota 0.”
Gjithashtu, vendimi i ri saktëson procedurën e regjistrimit të pasurive. Plani i ndarjes së njësive të brendshme (apartamente, zyra, njësi shërbimi) do të shërbejë si bazë për regjistrimin e tyre paraprak në Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Çdo modifikim i brendshëm që nuk cenon strukturën e objektit do të kërkojë vetëm njoftimin e autoriteteve përkatëse, pa pasur nevojë për ripajisje me leje të re, duke i hapur rrugë përditësimit automatik në Kadastër brenda një afati prej 10 ditësh.