Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka prezantuar drejtorin e ri të komanduar të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu.
Ndreu është komanduar në detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës, pas ndryshimeve në strukturat drejtuese të policisë në këtë qark, të ndodhura pas protestave në zonën e Zvërnecit. Ai më herët ka mbajtur postin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë.
Emërimi i tij vjen pas largimit të Elidon Çelës nga detyra, si pjesë e ristrukturimeve në Policinë e Shtetit, të urdhëruara nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
“Kam marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Prezantova sot drejtuesin komanduar të Policisë Vlorë, drejtues Edvin Ndreun që do të ketë detyrën e riorganizimin dhe forcimin e strukturave të policisë së Vlorë”, tha Hita.
Gjatë konferencës për mediat, Hita theksoi se Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë pas incidentit të raportuar gjatë protestës në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga një kompani private sigurie, në prani të strukturave policore. Ai bëri me dije se janë marrë masa të menjëhershme administrative dhe disiplinore, përfshirë ndryshime në drejtimin e Policisë së Vlorës, si pjesë e një procesi ristrukturimi të brendshëm për të forcuar përgjegjshmërinë institucionale.
“Integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve janë domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve. I kërkoj drejtorisë vendore të Policisë Vlorë që të jetë sa më e hapur, aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe të mos përfaqësohet në asnjë rast me dobësinë e papranueshëm të 3 ditëve më parë në Zvërnec ku Policia u paraqit e fjetur dhe jo profesionale duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin”, tha Hita.
Sipas Hitës, rasti është vënë nën hetim dhe do të trajtohet deri në sqarimin e plotë të përgjegjësive të çdo niveli të zinxhirit komandues, ndërsa theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit dhe standardeve profesionale në menaxhimin e situatave të tilla.
“Kjo ngjarje na turpëron të gjithëve ku u shkelën të gjithë standardet që na bënë një polici dinjitoze. Policia e Vlorës duhet të siguronte mbarëvajtjen e protestës”, tha Hita.
Hita theksoi se ngjarja dhe informacioni i pasaktë i përçuar publikisht kanë cenuar standardet që kërkohen nga Policia dhe besimin e qytetarëve. Për këtë, ai njoftoi nisjen e hetimeve të plota administrative dhe disiplinore për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse dhe shkarkimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, pas dështimit në menaxhimin e tubimit dhe informacionit të pavërtetë të përhapur për publikun.
“Kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të Vlorës.
Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF. I jam drejtuar qytetarëve me ndjesë publike për atë informacion të pasaktë, sepse besimi i publikut te Policia e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast. Por dua ta përsëris edhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë e përjetuan atë ditë”, tha Hita.
Vendimi për pezullimin e Elidon Çelës është marrë vetëm pak orë pas reagimeve të forta publike që pasuan incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec kundër projektit turistik në zonë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjësi i një kompanie private sigurie, ku prezent ishte edhe Policia e Vlorës por nuk reagoi për rastin.
Pas ngjarjes, janë marrë masa disiplinore, përfshirë shkarkime dhe hetime ndaj zinxhirit komandues të Policisë së Vlorës, si dhe verifikime për përgjegjësitë institucionale në menaxhimin e situatës.
Protesta në Zvërnec, Hita: Policia nuk merret me heqje gardhi, s’është kompetenca e jona. Ne garantojmë pronën private, qytetarët t’i drejtohen gjykatës për pretendimet
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve, por njëkohësisht edhe të mbrojë integritetin e pronës private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor.
Gjatë një deklarate për mediat nga Vlora, Hita theksoi se territori ku është zhvilluar ngjarja në Zvërnec rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me leje ligjore për rrethim.
“Policia e Shtetit ka detyrë të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve, por po ashtu ka detyrë të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor. Konkretisht, territori i rregulluar rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizim ligjor për rrethim,” u shpreh Hita.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që kanë pretendime për pronat apo zhvillimin e tyre t’i adresojnë në gjykatë, duke theksuar se në një sistem demokratik është drejtësia dhe jo forca ajo që vendos mbi të drejtat pronësore.
“Çdo pretendim që kanë për prona apo zhvillimin e saj duhet ta adresojnë në gjykatë, sepse drejtësia dhe jo forca ndajnë se kush ka të drejtë apo jo në sistemin demokratik,” tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se rrethimi i zonës është pjesë e lejes së miratuar nga autoritetet përkatëse dhe se Policia nuk mund të ndërhyjë jashtë kompetencave të saj ligjore.
“Rrethimi është pjesë e lejes që kanë autoritetet dhe mos na kërkoni gjëra që nuk janë në kompetencë të Policisë së Shtetit,” përfundoi Hita.