Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, ku është hapur Qendra për menaxhimin dhe trajtimin e obezitetit, përkatësisht mbipeshës tek fëmijët. Nevoja për një qendër të tillë të specializuar vjen si rezultat i të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Klinika për Sëmundje të Fëmijëve, sipas të cilave mbi 30% e fëmijëve të moshës 6 deri në 9 vjeç në Maqedoni kanë peshë të shtuar trupore, ndërsa pothuajse 14% prej tyre përballen me obezitet ekstrem.
“Hapja e kësaj qendre paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të shumëpritur në sistemin tonë shëndetësor. Obeziteti tek fëmijët nuk është vetëm problem estetik apo ushqimor, por një gjendje komplekse që kërkon qasje të hershme dhe multidisiplinare. Prandaj kjo qendër mundëson që një ekip i përbërë nga pediatër-endokrinologë, nutricionistë, psikologë dhe fiziatër të punojnë së bashku me fëmijët dhe familjet e tyre. Ashtu si edhe në qendrat e tjera për menaxhimin e obezitetit në vend, qasja në shërbime realizohet përmes sistemit “Termini im”. Mjeku amë ose pediatri amë fillimisht evidenton gjendjen dhe, nëse ka nevojë për trajtim specialistik, lëshon udhëzim direkt për Departamentin e Endokrinologjisë me diagnostikë molekulare-gjenetike, në përbërje të të cilit është edhe Qendra në Klinikën e Fëmijëve. Aty kryhen ekzaminime të detajuara molekulare-gjenetike, hormonale dhe metabolike për të përcaktuar shkakun e saktë të obezitetit dhe për të caktuar një plan individual të trajtimit”, – shpjegon ministri Aliu.
Trajtimi në kohë i obezitetit tek fëmijët parandalon shfaqjen e problemeve serioze shëndetësore në vitet e adoleshencës dhe në moshë më të rritur, si diabeti i tipit 2, i cili po shfaqet gjithnjë e më shpesh tek fëmijët, çrregullimet kardiovaskulare dhe tensioni i lartë i gjakut, problemet ortopedike, përkatësisht deformimet e nyjeve dhe gjunjëve, si dhe problemet psikologjike, izolimi social dhe stigmatizimi.