26.600 maturantë i janë nënshtruar këtë të martë provimit të parë të Maturës Shtetërore, atij të gjuhës së huaj. Këtë vit janë ashpërsuar masat e maturës. Të gjithë ata maturantë dhe administratorë që do të shkelin rregullat dhe do të përdorin aparatet celulare do të përjashtohen nga provimet e Maturës Shtetërore.
Duket se forcimi i masave ka dhënë rezultatet e para. Këtë vit teza e provimit nuk u fotografua dhe nuk qarkulloi në rrjetet sociale kur maturantët ishin në provim, ashtu siç ka ndodhur për vite me radhë.
Rregullorja e maturës u zbatua me përpikmëri. Herët në mëngjes maturantët u paraqitën në institucionet arsimore, iu drejtuan klasave sipas një liste emërore të përcaktuar më herët nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Të pyetur para nisjes së provimit, ata u shprehën të emocionuar, por dhe mjaftueshëm të përgatitur për këtë provim të parë.
Maturantët kanë hyrë në provim në orën 10:00 dhe kanë pasur në dispozicion 2 orë e gjysmë për të zgjidhur gjithçka. Një pjesë e tyre e kanë cilësuar provimin e gjuhës së huaj të thjeshtë, të tjerë të vështirë.
Për të komunikuar ndërmjet bashkëmoshatarëve gjatë kohës që është zhvilluar provimi ka qenë e vështirë.
Vështirësia e pyetjeve në provimet e Maturës Shtetërore është e përshkallëzuar. 80% e testit është i një niveli mesatar, ndërsa 20% e tyre janë pyetje të vështira që ndajnë nxënësit e 9-tës me të 10-tës. Gjashtë ditë më vonë, më 9 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të radhës, atij të gjuhës shqipe, për t’ia lënë vendin më pas atij të matematikës dhe lëndës me zgjedhje.