Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja prezantoi Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026–2030, një dokument që synon ta vendosë kulturën në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Sipas ministrit, strategjia është rezultat i një procesi të gjerë bashkëpunimi me ekspertë, artistë, institucione dhe komunitete kulturore.
Ministri e cilësoi kulturën si një nga shtyllat më të qëndrueshme mbi të cilat ngrihet zhvillimi i Shqipërisë, si një energji e brendshme që përshkon jetën e përditshme.
“Kultura është një nga shtyllat më të qëndrueshme mbi të cilat ngrihet zhvillimi i Shqipërisë, një energji e brendshme që përshkon jetën tonë të përditshme. Çdo përpjekje për të reformuar atë është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në vetëdijen tonë shoqërore. Në këtë dritë, integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian shkon përtej reformave ligjore apo teknike dhe, në thelb, është një proces i vërtetë kulturor, një përafrim vlerash dhe mendësie”, tha Gonxhja.
Strategjia synon gjithashtu ta kthejë Shqipërinë në një qendër kulturore rajonale deri në vitin 2030, duke e konsideruar kulturën si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, integrimin europian dhe forcimin e identitetit kombëtar.