Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi të enjten një projektligj për të ofruar ndihmë për Ukrainën dhe për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, në një tjetër shenjë se disa republikanë janë të gatshëm të sfidojnë drejtuesit e partisë dhe të kundërshtojnë Presidentin Donald Trump.
Dhoma votoi me 226 vota pro dhe 195 kundër për Aktin e Mbështetjes së Ukrainës, i cili kishte mbetur për muaj të tërë pa u shqyrtuar. Një grup i vogël republikanësh iu bashkua demokratëve për të nënshkruar një peticion procedural që detyroi kalimin e projektligjit për votim.
Të enjten, 18 republikanë dhe një i pavarur, i cili zakonisht voton me republikanët, iu bashkuan demokratëve për miratimin e projektligjit. Ky ishte sinjali më i fundit i një çarjeje brenda asaj që deri tani kishte qenë një mbështetje pothuajse unanime e Partisë Republikane për politikat e Trump.
Miratimi erdhi një ditë pasi një grup më i vogël republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve iu bashkua demokratëve për të kaluar një rezolutë që do të detyronte tërheqjen e trupave amerikane nga përfshirja në konfliktin me Iranin, nëse Kongresi nuk shpall luftë ose nuk autorizon përdorimin e forcës ushtarake.
Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, e cilësoi vendimin në një postim në platformën X si “një hap të rëndësishëm përpara” që “pasqyron mbështetjen e vazhdueshme dypartiake për Ukrainën”.
E ardhmja e projektligjit mbetet e pasigurt
Megjithatë, e ardhmja e Aktit të Mbështetjes së Ukrainës mbetet e paqartë. Për t’u bërë ligj, ai duhet të miratohet edhe nga Senati, ku drejtuesit republikanë nuk kanë lejuar votime për legjislacionin mbi sanksionet ndaj Rusisë, pavarësisht mbështetjes së gjerë dypartiake, duke deklaruar se do të presin udhëzimet e Trump. Edhe nëse kalon në Senat, projektligji ka gjasa të përballet me veton e Presidentit Trump.
Ndërsa shumë anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë mbështetën fuqishëm Ukrainën në vitet e para pas nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022, disa nga aleatët më të afërt republikanë të Trump, përfshirë drejtuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, kanë mbajtur një qëndrim më të ftohtë ndaj Kievit që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
Presidenti ka mbajtur gjithashtu në dorë vendimmarrjen për sanksionet, duke mos i deleguar ato te Kongresi që nga fillimi i mandatit të tij të dytë.
Ndihma amerikane për qeverinë e Kievit është ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të godasin njëra-tjetrën me raketa, dronë dhe artileri. Bisedimet për paqe mbeten të bllokuara, pasi Ukraina ka refuzuar kërkesën e Presidentit rus Vladimir Putin për të dorëzuar territore që ka arritur t’i mbrojë që nga viti 2022.
Akti i Mbështetjes së Ukrainës përfshin masa për të ndihmuar rindërtimin e vendit pas luftës, autorizon më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë për Kievin dhe deri në 8 miliardë dollarë mbështetje përmes kredive të drejtpërdrejta.
Projektligji parashikon gjithashtu sanksione të ashpra dhe kontrolle eksporti ndaj Rusisë, duke përfshirë sektorin financiar, industrinë e naftës dhe minierave, si dhe zyrtarët rusë.
Miratimi i tij vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian, një tjetër aleat i Ukrainës, ra dakord këtë javë të hapë bisedimet me Kievin për grupin e parë të çështjeve në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Kjo pasoi një marrëveshje për shpërndarjen e një kredie prej 90 miliardë eurosh për të forcuar mbrojtjen dhe ekonominë e Ukrainës.