Negociatorët e Bashkimit Evropian kanë arritur një kompromis mbi reformën e të drejtave të pasagjerëve ajrorë, duke ruajtur në pjesën më të madhe rregullat ekzistuese për kompensimet në rast vonesash dhe anulimesh fluturimesh. Propozimi gjithashtu prezanton detyrime të reja për kompanitë ajrore dhe masa që synojnë thjeshtimin e procedurës së kërkimit të kompensimeve.
Pas muajsh mosmarrëveshjesh mbi reformën e të drejtave të pasagjerëve ajrorë në Bashkimin Evropian, negociatorët duket se kanë vendosur të lënë pothuajse të pandryshuar çështjen më të diskutueshme: kompensimet për vonesat dhe anulimet, kanë deklaruar për POLITICO pesë persona të përfshirë në negociata.
Kompromisi vjen pas negociatave maratonë me Parlamentin Evropian, në kushtet kur bisedimet e së martës përfunduan pa marrëveshje.
Propozimi ruan pragun aktual prej tre orësh për vonesat. Kompensimet do të mbeten 250 euro për fluturimet deri në 1.500 kilometra dhe 400 euro për ato midis 1.500 dhe 3.500 kilometra.
Dokumenti sqaron gjithashtu rregullat për fluturimet mbi 3.500 kilometra. Kështu, pasagjerët do të marrin 300 euro për vonesa nga tre deri në katër orë, ndërsa shuma do të rritet në 600 euro për vonesa mbi katër orë ose në rast anulimi të fluturimit.
Negociatorët e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të BE-së kanë rënë gjithashtu dakord për një detyrim të ri për kompanitë ajrore: ato do të duhet t’u dërgojnë pasagjerëve, brenda 48 orëve nga ora e planifikuar e mbërritjes së një fluturimi të vonuar ose të anuluar, një link për formularin e kërkesës për kompensim. Masa synon të lehtësojë paraqitjen e kërkesave.
Kompanitë ajrore do të jenë gjithashtu të detyruara të japin shpjegime mbi arsyet e ndërprerjes së fluturimit, duke përfshirë edhe çdo rrethanë të jashtëzakonshme të përdorur për t’u përjashtuar nga pagesa e kompensimeve.
Linku për formularin do të duhet të dërgohet përmes një “mjeti të qëndrueshëm”, si emaili, dhe jo përmes njoftimeve në aplikacione, të cilat pasagjerët mund t’i humbasin më lehtë.
Pas dorëzimit të kërkesës për kompensim, kompania ajrore do të ketë 30 ditë kohë për të kryer pagesën ose për të justifikuar refuzimin. Afati mund të zgjatet në rastin e kërkesave të dorëzuara në letër.
Procedura e re zëvendëson idenë e mëparshme të diskutuar nga negociatorët, e cila parashikonte formularë të paraplotësuar për pasagjerët.
Negociatorët gjithashtu kanë arritur këtë javë një marrëveshje për një çështje tjetër të debatueshme. Kompanitë ajrore do të jenë të detyruara të shfaqin çmimet e biletave që përfshijnë edhe bagazhin e kabinës me valixhe, jo vetëm bagazhet e vogla që vendosen nën sedilje. Pasagjerët do të mund të heqin dorë nga bagazhi i kabinës në këmbim të një uljeje çmimi.
Nëse ambasadorët e shteteve anëtare e miratojnë projekt-marrëveshjen, ajo më pas duhet të miratohet nga komiteti i pajtimit, i përbërë nga eurodeputetë dhe përfaqësues të shteteve anëtare, deri më 15 qershor.