Kryeqyteti shqiptar është kthyer sot në një qendër të kulturës automobilistike retro me zhvillimin e aktivitetit “Tirana Grand Prix – Warm Up”, një event i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Aktiviteti nisi në Sheshin ‘Nënë Tereza’ nga ora 16:00 dhe do të zgjasë deri në orën 20:00, teksa do të jetë i hapur për publikun.
‘Tirana Grand Prix – Warm Up’ shërben si gara preliminare e Tirana Grand Prix 2026 dhe i dedikohet automjeteve historike, kulturës automobilistike dhe promovimit të trashëgimisë së automobilizmit. Nisma “Tirana Grand Prix”, e cila nisi në vitin 2023, ka sjellë një dimension të ri në jetën publike të kryeqytetit duke afruar qytetarët me historinë, elegancën dhe zhvillimin e automjeteve ndër vite.
Në qendër të aktivitetit janë automjetet historike dhe klasike, që përfaqësojnë periudha të rëndësishme të historisë së automobilizmit. Organizatorët bëjnë të ditur se pjesëmarrja e koleksionistëve dhe klubeve automobilistike nga Shqipëria dhe rajoni do t’i japë eventit një karakter të veçantë kulturor, turistik dhe promovues.
Programi i aktivitetit parashikon paradë dhe ekspozim të automjeteve historike, si dhe zhvillimin e garës së rregullsisë, ku pjesëmarrësit konkurrojnë bazuar në saktësinë dhe respektimin e kohës së përcaktuar nga organizatorët. Kjo garë pritet të ofrojë një eksperiencë unike për publikun dhe entuziastët e automobilizmit.