Mbi 26.600 maturantë do të zhvillojnë provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Nxënësit duhet të paraqiten në shkolla në orën 08:30, ndërsa provimi do të zhvillohet nga ora 10:00-12:00.
Sipas njoftimit të publikuar më herët nga Ministria, ndalohen rreptësisht telefonat celularë dhe orët smart gjatë zhvillimit të testimit.
Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi, kartë ID ose pasaportë, dy stilolapsa, vizore të vogël, makinë llogaritëse të thjeshtë, si dhe një shishe me ujë.
Për sa i përket veshjes, kërkohet uniforma e shkollës, ndërsa në mungesë të saj lejohet bluzë dhe xhinse.
Procesi do të vijojë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Në të gjithë vendin janë 144 qendra provimi në shkolla. Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve të Maturës Shtetërore.