Në Athinë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë Nikitas Kaklamanis, ku u theksua mbështetja e Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Të dy palët vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke i cilësuar ato si të mbështetura në interesa të përbashkëta strategjike, në bashkëpunimin brenda NATO-s për siguri dhe stabilitet, si dhe në perspektivën e përbashkët europiane. Ata theksuan nevojën për forcim të mëtejshëm të dialogut politik dhe parlamentar, me qëllim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Niko Peleshi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe vlerësoi progresin në negociatat me Bashkimin Europian, duke përsëritur synimin për përmbylljen e tyre deri në vitin 2027.
Nga ana e tij, Nikitas Kaklamanis rikonfirmoi qëndrimin mbështetës të Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe nënvizoi se zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar krijon hapësira të reja për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në takim u trajtua edhe bashkëpunimi ekonomik, ku u vlerësua rritja e shkëmbimeve tregtare, investimeve, projekteve infrastrukturore dhe turizmit, si tregues i potencialit për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Po ashtu, u vu theksi te komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, të cilët u cilësuan si ura lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve.
“Dy urat më të rëndësishme që lidhin vendet tona janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi; mbi këto vlera duam të ndërtojmë më shumë prosperitet dhe bashkëpunim mes dy vendeve tona”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Gjithashtu, palët theksuan rëndësinë e trajtimit me dialog dhe frymë konstruktive të çështjeve me interes të përbashkët, në përputhje me fqinjësinë e mirë, të drejtën ndërkombëtare dhe interesat strategjike.
Në përfundim, u riafirmua angazhimi për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e parë bashkëpunimin parlamentar si instrument kyç për rritjen e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe paqes.
Në këtë vizitë zyrtare, Niko Peleshi shoqërohej nga deputetët Anila Denaj, Vasil Llajo, Pirro Dhima, Ivi Kaso, Vangjel Dule dhe Ilirjan Pendavinji, si dhe nga Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.