Dy turistë gjermanë që kishin humbur kontaktet prej rreth 48 orësh në zonën malore të Polisit, në territorin e Bashkisë Librazhd, janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore pas një operacioni kërkimi.
Sipas të dhënave, ata janë lokalizuar në afërsi të fshatit Stavraj dhe më pas janë nisur drejt Përmetit, ku pritet t’i bashkohen grupit të guidës që i shoqëronte gjatë udhëtimit në zonat malore.
Menjëherë pas njoftimit për zhdukjen e tyre, në zonë u organizuan kërkime nga emergjencat civile dhe banorë vendas, në një terren të vështirë malor ku edhe mbulimi i rrjetit telefonik paraqiste probleme.
Dy turistët kishin qenë duke eksploruar zonën me automjet, por për shkak të një defekti teknik në mjet, ata e kishin braktisur atë dhe kishin vazhduar më këmbë deri sa arritën të kontaktojnë dhe të gjejnë ndihmë nga një furgon që po qarkullonte në zonë. Fatmirësisht, ata u gjetën në gjendje të mirë dhe pa probleme shëndetësore.