Në prag të Kampionatit Botëror, situata dhe masat e sigurisë në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar polemika të shumta, duke nxitur reagime si nga tifozët ashtu edhe nga ekipet pjesëmarrëse. Edhe pse SHBA ka premtuar një organizim spektakolar të turneut, disa procedura të hyrjes në vend janë konsideruar të pazakonta dhe kanë ngjallur debat ndërkombëtar.
Ndër rastet e përmendura është ai i sulmuesit të Irakut, Aimen Hysein, i cili është marrë në pyetje për rreth 7 orë në aeroportin e Çikagos pas mbërritjes së tij. Po ashtu, gjyqtari somalez Omar Artan është kthyer në kufi dhe nuk është lejuar të marrë pjesë në turne.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe në rrjetet sociale e kanë marrë pamjet e mbërritjes së kombëtareve të Senegalit dhe Uzbekistanit në SHBA. Në rastin e Senegalit, lojtarët dhe stafi janë kontrolluar imtësisht menjëherë pas zbritjes nga avioni në pistën e aeroportit në Karolinën e Veriut.
Ndërkohë, edhe delegacioni i Uzbekistanit është përballur me kontrolle të gjata dhe të detajuara pas mbërritjes në Nju Jork, ku lojtarëve dhe stafit u janë kontrolluar bagazhet dhe pajisjet personale, përfshirë edhe mjete të analizës taktike.