Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjirokastër këtë të mërkurë, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur në një pishinë private të njohur si “Glow”, e cila ndodhet në fshatin Mashkullorë.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, i mituri është identifikuar si Arbër Peçi. Autoritetet bëjnë me dije se dyshohet që ai ka pësuar një infarkt gjatë kohës që ishte duke u larë në pishinë, çka ka çuar në humbjen e jetës së tij.
Policia ka konfirmuar se rreth orës 10:00 është marrë njoftimi për ngjarjen dhe menjëherë janë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe shkakun e saktë të vdekjes.
Sipas raportimeve, pishina ku ndodhi ngjarja është në pronësi të Ermal Kokos, bashkëshort i nënkryetares së bashkisë së Gjirokastrës. Gjithashtu, pretendohet se në momentin e ngjarjes nuk ka pasur roje shpëtimi të pranishëm për pushuesit.
Hetimet për rastin janë në vijim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në tragjedinë ku humbi jetën i mituri.