Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe vendet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu), kanë paraqitur një propozim jozyrtar (non-paper) që synon ndryshime në mënyrën e funksionimit të procesit të zgjerimit të BE-së.
Non-paper-i është një dokument diplomatik joformal që përdoret për të hedhur ide, testuar reagime dhe propozuar zgjidhje të mundshme pa krijuar detyrime zyrtare për shtetet që e paraqesin.
Sipas këtij propozimi, vendet që do të anëtarësohen në të ardhmen në Bashkimin Evropian mund të kenë një periudhë kalimtare gjatë së cilës do të gëzonin të drejta të kufizuara, përfshirë edhe të drejtën e votës.
Në dokument sugjerohet që kjo kufizim të aplikohet veçanërisht në fusha ku vendimet kërkojnë unanimitet, si politika e jashtme dhe e sigurisë, procesi i zgjerimit dhe kuadri financiar shumëvjeçar i BE-së.
Autorët e propozimit theksojnë se duhet hapur një debat i gjerë mbi mundësinë e vendosjes së kufizimeve të përkohshme për anëtarët e rinj, duke marrë parasysh ndjeshmëritë juridike dhe politike që lidhen me këtë çështje.
Po ashtu, dokumenti propozon krijimin e një modeli më të standardizuar për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit, si dhe një kornizë opsionesh që mund të përshtatet sipas specifikave të secilit vend kandidat.
Një tjetër element i rëndësishëm i propozimit është forcimi i klauzolave mbrojtëse, të cilat do të zbatoheshin në fusha si siguria e brendshme e BE-së, stabiliteti ekonomik dhe mbrojtja ndaj ndikimeve të jashtme.
Theks i veçantë i jepet sundimit të ligjit, i cili konsiderohet si fusha kryesore për zbatimin e këtyre mekanizmave. Në rast të shkeljeve, parashikohen masa të mundshme si sanksione financiare, procedura për shkelje apo mekanizma të tjerë mbrojtës.
Dokumenti parashikon gjithashtu masa për rastet kur një shtet anëtar i ri shkel parimet themelore të BE-së, përfshirë edhe mundësinë e pezullimit të disa formave të bashkëpunimit.
Një tjetër propozim është që pjesëmarrja në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian të bëhet kusht për anëtarësim, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër keqpërdorimit të fondeve të BE-së.
Në fund, theksohet nevoja për mekanizma që parandalojnë bllokimin e vendimmarrjes dhe mungesën e bashkëpunimit mes vendeve anëtare, duke nënvizuar se sjelljet që dëmtojnë unitetin dhe besimin e ndërsjellë mund të kenë pasoja serioze për funksionimin e Bashkimit Evropian.
Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)