Në mbledhjen e zhvilluar sot nga Këshilli i Ministrave është miratuar dhënia e një ndihme financiare për familjen e policit të rënë në krye të detyrës, Enea Mekolli, si edhe për efektivin Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë ushtrimit të detyrës.
Përmes një deklarate publike, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se kontributi dhe sakrifica e dy efektivëve në luftën kundër krimit do të vlerësohen dhe nuk do të harrohen.
Përveç mbështetjes financiare të miratuar, fëmija i Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, do të përfitojë gjithashtu trajtim financiar mujor deri në arritjen e moshës madhore, në përputhje me Ligjin “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.
Në deklaratën e tij, Lamallari u shpreh:
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre.”
Ai shtoi se: “Asnjë ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet.”
Ministri bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek të gjitha procedurat ligjore për garantimin e të drejtave të familjes së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.