Ministria e Arsimit ka reaguar pas qarkullimit në publik të tezës së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke garantuar maturantët dhe qytetarët se procesi po zhvillohet sipas standardeve të sigurisë dhe në përputhje të plotë me rregullat e Maturës Shtetërore.
Sipas ministrisë, rasti është identifikuar në një qendër provimi në Qarkun e Kukësit, ku një maturant ka publikuar tezën gjatë zhvillimit të testimit. Autoritetet bëjnë të ditur se ndaj tij është marrë menjëherë masa e përjashtimit nga provimi.
Në reagimin zyrtar theksohet se publikimi i tezës ka ndodhur pasi provimi kishte nisur dhe, për këtë arsye, nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen apo integritetin e procesit të testimit në nivel kombëtar.
“Aktualisht është evidentuar se teza është publikuar nga një qendër provimi në Qarkun e Kukësit dhe maturanti që ka publikuar tezën është përjashtuar menjëherë nga provimi. Siç është bërë e ditur më herët, masat do të aplikohen si ndaj maturantëve që thyejnë rregulloren, ashtu edhe ndaj të gjithë zinxhirit të administruesve të procesit në qendrën e provimit. Ministria e Arsimit dënon çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë e procesit të Maturës Shtetërore dhe rithekson se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin dhe rregulloren në fuqi.”
Ministria nënvizon se do të vijojë të zbatojë me rigorozitet masat e parashikuara ndaj çdo shkeljeje, duke theksuar se cenimi i rregullave të Maturës Shtetërore do të trajtohet me përgjegjësi të plotë ligjore dhe administrative.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Arsimit:
Ministria e Arsimit garanton maturantët, prindërit, mësuesit dhe opinionin publik se provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i Maturës Shtetërore 2026, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në zbatim strikt të Rregullores së Maturës Shtetërore, duke siguruar standardet më të larta të testimit për mbi 26,600 maturantët në të gjithë vendin. Provimi i dytë i Maturës Shtetërore 2026 po zhvillohet normalisht në 144 qendra provimi, në mjedise qetësie, rregulli, transparence dhe sigurie të lartë. Në lidhje me publikimin në rrjetet sociale të fotografive të tezës së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Ministria e Arsimit sqaron se ky akt ka ndodhur pasi provimi ka nisur dhe nuk ndikon në asnjë mënyrë në zhvillimin apo integritetin e tij.
Një veprim i tillë nuk mund të zbehë punën dhe angazhimin e mijëra mësuesve që kanë punuar me maturantët, e mbi 2 mijë administratorëve të provimit dhe punonjësve të strukturave arsimore, të cilët kanë ndjekur me përkushtim përgatitjen dhe mbarëvajtjen e testimit për Maturën Shtetërore.
Aktualisht është evidentuar se teza është publikuar nga një qendër provimi në Qarkun e Kukësit dhe maturanti që ka publikuar tezën është përjashtuar menjëherë nga provimi. Siç është bërë e ditur me herët, masat do të aplikohen si ndaj maturantëve që thyejnë rregulloren, ashtu edhe ndaj të gjithë zinxhirit të administruesve të procesit në qendrën e provimit. Ministria e Arsimit dënon çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë e procesit të Maturës Shtetërore dhe rithekson se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin dhe rregulloren në fuqi.
Përgatitjet për Maturën Shtetërore 2026 kanë qenë të plota dhe të mirëkoordinuara, nga hartimi i testeve me standarde të larta profesionalizmi dhe sigurie, certifikimi i personelit administrues, zhvillimi i konsultimeve në shkolla, shpërndarjen e testeve model nga Qendra e Shërbimeve Arsimore tek organizimi i testimeve provë, si dhe ofrimi i mbështetjes psikologjike për maturantët. Për Ministrinë e Arsimit, prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti dhe garantimi i të drejtës së secilit për t’iu nënshtruar provimeve në kushte të barabarta, ndaj angazhimi për një Maturë Shtetërore të drejtë, të ndershme dhe meritokratike do të vijojë pa ndërprerje deri në përfundim të të katër testimeve.