Optimizmi është thelbësor kur përballesh me sfida të mëdha. Megjithatë, Ferrari ka nevojë për përmirësime të mëtejshme nëse dëshiron të bëhet plotësisht konkurrues.
Monako ishte një mundësi e rëndësishme, por nuk u shfrytëzua plotësisht. Në Formula 1, përveç potencialit, nevojiten edhe rezultate konkrete. Drejtuesi i Ferrarit, Fred Vasër, deklaron se ka parë “sinjale inkurajuese” në performancën e skuadrës, dhe ka arsye për këtë optimizëm. Çmimi i Madh i Monakos nuk u karakterizua vetëm nga paraqitjet e Kimi Antonelit dhe Mercedesit, por edhe nga një Luis Hamilton shumë konkurrues. Vendi i dytë i britanikut konfirmon trendin pozitiv për të cilin flet Vasër.
“Si në Monako ashtu edhe në Kanada kemi arritur rezultate të mira, por e dimë se ka ende shumë punë për të bërë. Duhet të vazhdojmë të fokusohemi te vetja. Si gjithmonë, objektivi ynë është të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që kemi dhe të vazhdojmë progresin”, u shpreh menaxheri francez.
BARCELONA – Tani vjen Barcelona, një tjetër provë e vështirë për Ferrarin. Situata e krijuar nga problemi me frenat e Sharl Lëklerkut, si dhe reagimi i kompanisë Brembo, do të kishte kërkuar më shumë sqarime. Megjithatë, Vasër nuk u rikthye te kjo çështje. “Mbërrijmë në Barcelonë pas dy fundjavave ku kemi treguar sinjale inkurajuese sa i përket konkurrueshmërisë”, deklaroi sërish kreu i Ferrarit.
Me garën e kësaj fundjave në Barcelonë, Formula 1 nis ciklin e dy garave iberike. “Të vazhdojmë të përparojmë”, siç thekson Vasër, është pikërisht ajo që Ferrari shpreson dhe synon të arrijë. Ekipi dëshiron të lërë pas problemet me frenat, çështje që vetë Vasër e kishte cilësuar si “frustruese”, duke garantuar se do të zgjidhej, dhe të shtyjë më fort drejt objektivave të tij.
Nëse aktualisht Mercedesi duket ende i paarritshëm, Ferrari ka nevojë për një rezultat konkret për t’i dhënë vetes bindjen se gjithçka mbetet e mundur. Pjesa tjetër e planit duket në vendin e duhur, pasi Lëklerk ka zgjatur kontratën e tij, ndërsa Hamilton synon fitoren e parë me Ferrarin. Rruga është ende e gjatë, por optimizmi i drejtuesit francez lë vend për shpresë dhe besim për të ardhmen.