Zvicra po pret rezultatin e një referendumi kombëtar mbi një propozim të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) për kufizimin e popullsisë së vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050.
Nëse iniciativa miratohet, qeveria zvicerane do të duhet të ndërmarrë masa për të kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë deri në mesin e shekullit. Propozimi parashikon vendosjen e kufizimeve për bashkimin familjar, lejet e qëndrimit dhe azilin nëse popullsia arrin në 9.5 milionë banorë para vitit 2050.
Nëse kufiri prej 10 milionë banorësh tejkalohet para vitit 2050, iniciativa e SVP-së do ta detyronte qeverinë të tërhiqej nga marrëveshja e lëvizjes së lirë me Bashkimin Europian, duke i dhënë fund aksesit të Zvicrës në tregun e përbashkët europian.
Sistemi i demokracisë direkte në Zvicër lejon që nismat popullore të kalojnë në referendum nëse mbledhin 100 mijë mbështetës brenda 18 muajve. Referendumet mbahen zakonisht katër herë në vit dhe janë përdorur shpesh nga SVP-ja për çështje që lidhen me emigracionin.
Popullsia e Zvicrës është rritur me 23% që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së lëvizjes së lirë me Bashkimin Europian në vitin 2002. Sipas të dhënave qeveritare, gjatë së njëjtës periudhë prodhimi ekonomik është rritur me rreth 24%.
Rreth 27% e banorëve të Zvicrës nuk janë shtetas zviceranë. Mbështetësit e iniciativës “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë” argumentojnë se fluksi i punëtorëve, kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, po ushtron presion mbi banesat, shkollat, transportin, sistemin social dhe mënyrën e jetesës në vend.
“Emigracioni i pakontrolluar po bën që Zvicra të rritet shumë shpejt. Pasojat negative ndihen në të gjitha fushat e jetës”, ka argumentuar SVP gjatë fushatës.
Qeveria zvicerane, e përbërë nga përfaqësues të katër partive më të mëdha, përfshirë edhe SVP-në, është shprehur kundër iniciativës. Sipas saj, propozimi rrezikon stabilitetin kombëtar, dëmton ekonominë dhe mirëqenien e vendit.
Shumica në të dyja dhomat e parlamentit ka rekomanduar refuzimin e nismës. Kundër saj janë shprehur edhe Federata Zvicerane e Sindikatave, Shoqata Zvicerane e Punëdhënësve dhe Economiesuisse, organizata kryesore që përfaqëson biznesin në vend.
Kryeekonomisti i Economiesuisse, Rudolf Minsch, e ka cilësuar propozimin një përpjekje populiste për të zgjidhur probleme komplekse përmes një kufiri artificial. Sipas tij, iniciativa nuk do të zgjidhë problemet e strehimit apo trafikut.
Nga ana tjetër, deputeti i SVP-së, Thomas Matter, i ka hedhur poshtë këto shqetësime. “Ne nuk jemi kundër emigracionit, por ai duhet të jetë i moderuar dhe i kontrolluar. Më parë kishim emigracion cilësor, tani kemi emigracion sasior”, ka deklaruar ai.
Artikulli vëren se partitë populiste të djathta në Europë kanë përfituar nga shqetësimet për emigracionin, gjë që është reflektuar edhe në votimin për Brexit në Britani dhe në rritjen e mbështetjes për parti si Tubimi Kombëtar në Francë dhe AfD në Gjermani.
Sipas Philippe Wanner, ekspert i demografisë në Universitetin e Gjenevës, asnjë vend nuk ka votuar më parë në mënyrë të drejtpërdrejtë për vendosjen e një kufiri të caktuar të popullsisë, megjithëse vende si Kina kanë miratuar politika për uljen e ritmit të rritjes së saj.
Ashtu si shumë vende europiane, Zvicra përballet me rënie të lindshmërisë dhe plakje të popullsisë. Parashikimet tregojnë se pjesa e banorëve mbi 65 vjeç do të rritet nga 21% në më shumë se 27% deri në vitin 2055.
Sondazhet e fundit sugjerojnë se fushata kundër propozimit është forcuar që nga shpallja e referendumit në shkurt, megjithatë shumica e tyre parashikojnë një garë të ngushtë, me kampin “Jo” që pritet të marrë rreth 52% të votave.
Qendrat e votimit do të hapen për një kohë të shkurtër të dielën për votimin fizik, ndërsa deri në 90% e votuesve në referendumet zvicerane zakonisht votojnë me postë. Për t’u miratuar, iniciativa duhet të sigurojë shumicën e votave në nivel kombëtar dhe shumicën e 23 kantoneve të plota dhe gjashtë gjysmë-kantoneve të vendit.
Rezultatet pritet të bëhen të ditura gjatë pasdites së së dielës.