Mijëra studentë nga vende të ndryshme europiane që morën kredi me vlerë 893 milionë paund për të financuar studimet në universitetet britanike janë zhdukur pa shlyer asnjë pjesë të borxhit të tyre.
Sipas të dhënave më të fundit nga Student Loans Company (SLC), kompania shtetërore që administron kreditë studentore në Britaninë e Madhe, aktualisht po përpiqet të gjejë vendndodhjen e rreth 42 mijë ish-studentëve.
Për t’i lokalizuar ata, autoritetet britanike kanë krijuar bashkëpunime me institucione në vende të Bashkimit Europian, me synimin që t’i identifikojnë dhe t’i detyrojnë të shlyejnë detyrimet e tyre.
SLC ka këmbëngulur prej vitesh se largimi jashtë Britanisë nuk përbën një mënyrë për t’iu shmangur pagesës së kredive studentore. Megjithatë, ndërsa brenda vendit autoritetet kanë akses të drejtpërdrejtë në të dhënat tatimore për të gjurmuar huamarrësit, ndjekja e tyre jashtë vendit është shumë më e vështirë.
Në total, SLC ka bërë të ditur se po kërkon 121 mijë ish-studentë me kredi të papaguara, me një vlerë totale prej 3.4 miliardë paundësh.
Nga këta, rreth 15 mijë besohet se janë zhvendosur në Australi, 7,600 në Shtetet e Bashkuara, ndërsa rreth 5,500 secili në Spanjë dhe Irlandë. Po ashtu, rreth 5,300 ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe, 1,500 në Kinë, si dhe nga 3,500 në Bullgari dhe Rumani