Shqipëria po përgatit një reformë të thellë rregullatore në sektorin e mjedisit, duke ndryshuar rrënjësisht rregullat e operimit për industritë e rënda dhe aktivitetet me ndikim të lartë në mjedis. Përmes një projektligji të ri për disa ndryshime në ligjin nr. 10448, datë 14.7.2011 “Për Lejet Mjedisore”, të propozuar nga Ministri Sofjan Jaupaj, synohet kalimi nga modeli tradicional i kontrollit të ndotjes drejt një sistemi modern parandalues të harmonizuar plotësisht me Bashkimin Evropian.
Ndryshimet vijnë në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit, duke shënjestruar drejtpërdrejt Kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” dhe duke u përafruar me Direktivën Evropiane për Emetimet Industriale (IED 2.0).
Çfarë do të ndodhë me industritë?
Projektligji i ri zgjeron aparatin terminologjik duke shtuar mbi 40 përkufizime dhe koncepte të reja që nuk ekzistonin më parë në legjislacionin shqiptar. Ndër risitë më të rëndësishme administrative dhe teknike janë:
Sistemi i Menaxhimit Mjedisor (SMM)- Detyrim për zbatim dhe auditim periodik nga operatorët.
Raporti bazë për tokën dhe ujërat nëntokësore- Ky instrument do të dokumentojë gjendjen fillestare të vendndodhjes së një industrie. Në momentin që aktiviteti mbyllet, operatori mban përgjegjësi ligjore për rikthimin e mjedisit në gjendjen e parë.
Planet e transformimit industrial- Orientim i detyrueshëm i instalimeve drejt reduktimit të gazeve serrë dhe ekonomisë qarkulluese.
Sistemi i Integruar Mjedisor (SIM)- Të gjitha lejet, rezultatet e monitorimit dhe raportet do të administrohen në një bazë të dhënash publike elektronike, duke rritur transparencën para qytetarëve.
Sipas relacionit zyrtar të projektaktit, ky ndryshim ligjor do të sjellë një qasje të re:
“Projektligji synon të kalojë nga një qasje tradicionale, e bazuar kryesisht në kontrollin e ndotjes, drejt një qasjeje moderne, parandaluese dhe të bazuar në menaxhimin e integroar të ndikimit në mjedis, në përputhje me parimet themelore të politikës mjedisore të Bashkimit Evropian.”
Projektligji ristrukturon tërësisht shtojcat e ligjit ekzistues. Për të shmangur fragmentarizimin, Shtojcat 3, 4, 5, 6 dhe 7 shkrihen në një Shtojcë të vetme (Shtojca nr. 3). Ndërkohë, regjimi i rreptë i Lejeve të Tipit A (për industritë e mëdha) do të përfshijë aktivitete të reja dhe pragje më specifike të kapaciteteve:
Veprimtaria industriale/ sektori Pragu i ri i përcaktuar për leje
Gazifikimi, lëngëzimi ose piroliza Instalime me fuqi termike të instaluar totale 20 MW ose më shumë.
Përpunimi i metaleve hekurore Laminatore në të nxehtë >20 ton/orë; laminatore në të ftohtë >10 ton/orë.
Prodhimi i produkteve qeramike Kapacitet prodhimi >75 ton në ditë dhe/ose furrë >4 m³ me dendësi >300 kg/m³.
Asgjësimi i mbetjeve jo të rrezikshme Kapacitet >50 ton në ditë (përfshin trajtimin biologjik, fiziko-kimik, skoriet).
Rikuperimi i mbetjeve jo të rrezikshme Kapacitet >75 ton në ditë (nëse kryhet vetëm tretje anaerobe, pragu është 100 ton/ditë).
Prodhimi i baterive Kapacitet prodhimi prej 15 000 ton ose më shumë në vit të qelizave të baterive.
Nxjerrja e xeherorëve (shkallë industriale) Boksit, krom, kobalt, bakër, ar, hekur, plumb, litium, nikel, platin, zink etj.
Fokus te kimikatet e rrezikshme dhe zëvendësimi i tyre
Një vëmendje e veçantë në ligjin e ri i kushtohet menaxhimit të rreziqeve nga substancat toksike. Nëpërmjet Nenit 7/1, ndërmarrjeve u lind detyrimi për të hartuar një inventar të hollësishëm të substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC). Ligji kërkon hapa konkretë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve:
“Parashikohet një inventar kimikatesh të substancave të rrezikshme të pranishme ose të emetuara nga instalimi dhe një vlerësim të rrezikut të ndikimit të substancave të tilla në shëndetin e njeriut dhe mjedisin, si dhe një analizë të mundësive për zëvendësimin e tyre me alternativa më të sigurta ose zvogëlimin e përdorimit ose emetimeve të tyre.”
Zbatimi dhe kostot buxhetore
Për zbatimin e këtij kuadri të ri, pesha kryesore do të bjerë mbi Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) si autoritet dhënës lejeje, dhe Inspektoratin Shtetëror përgjegjës për mjedisin.
Sa i përket financave publike, relacioni sqaron se projektligji nuk parashikon krijimin e drejtpërdrejtë të detyrimeve të reja buxhetore të menjëhershme. Shpenzimet që lidhen me trajnimet, sistemet elektronike të monitorimit dhe forcimin e kapaciteteve teknike parashikohen të mbulohen nga burimet ekzistuese dhe programet e asistencës financiare të Bashkimit Evropian.