Vendasit e Kanadasë morën fitoren e parë në këtë Botëror pasi mposhtën 6-0 Katarin për llogari të ndeshjes së dytë në Grupin B. Mëngjesin e kësaj të premteje me kohën shqiptare, Kanadaja e sheh veten në krye të grupit duke lënë pas Zvicrën. Mesfushori i Kanadasë, Ismael Kone, e ka mbyllur këtë Kupë Bote pasi theu këmbën pas një ndërhyrje nga Assim Madibo.
NDESHJA – Kanadaja vinte në këtë përballje pas barazimit 1-1 kundër Bosnje Hercegovinës, por edhe Katari kishte ndalur po 1-1 Zvicrën në ndeshjen e parë të këtij grupi.
Vendasit u treguan më të zotët dhe ia dolën që të shënonin tre herë në pjesën e parë me Larin dhe dy golat e Jonathan David. Katari e pa veten me dhjetë futbollistë pas 45 minutave të para pasi Al Amin u ndëshkua me karton të kuq.
Në minutën e 52-të, Assim Madibo i Katarit ndërhyri keq në dëm të Ismael Kone, duke i thyer këmbën këtij të fundit. Kone doli nga fusha mes lotësh, barelës dhe oksigjenit, teksa e ka mbyllur këtë Kupë Bote. Lotë dhe lutje edhe nga futbollistët e Kanadasë dhe tifozët. Paçka dhimbjeve, Kone u kujdes që të ngrinte dorën dhe të përshëndeste tifozët. Modibo u ndëshka me karton të kuq duke lënë me nëntë futbollistë Katarin.
Në epërsi numerike, Kanadaja shënoi edhe tre gola të tjerë. Fillimisht ishte Saliba, më pas autogoli i Al Mannai dhe në minutën e dytë shtesë Jonathan David shënoi golin e tretë personal në këtë ndeshje dhe të gjashtin për Kanadanë. Kjo ishte fitorja e parë e Kanadasë në një ndeshje të Kupës së Botës.
Përpara këtij momenti historik, Kanadaja kishte bërë tre paraqitje në turne (1986, 2022 dhe 2026), duke siguruar 6 humbje dhe një barazim. Sot erdhi fitorja e parë edhe me goleadë.
Pas ndeshjeve të dyta, Grupi B kryesohet nga Kanadaja me katër pikë, aq sa ka edhe Zvicra e vendit të dytë. Bosnje Hercegovina dhe Katari mbeten në kuotën e një pike.
Dëmtim horror në Kupën e Botës, duart në kokë dhe lot në fushë! Mesfushori i Kanadasë del jashtë me barelë e oksigjen
Kanadaja po fitonte 3-0 kundër Katarit në Grupin B të Kupës së Botës 2026, por në minutën e 52-të pati lot dhe lutje në fushë. Assim Madibo i Katarit bëri një ndërhyrje jo me qëllimin për të dëmtuar rivalin Ismael Kone, por intensiteti i lojës solli dëmtimin horror të mesfushorit të Kanadasë.
Në pamjet e përsëritura duket këmba e majtë e Kone që është thyer në pjesën e kërcirit. Menjëherë Madibo e ka parë këmbën e rivalit dhe pasi ka vendosur duart në kokë nuk i ka mbajtur dot lotët. Karton i kuq për lojtarin e Katarit, me këta të fundit që mbetën me 9 vetë në fushë pasi më herët ishte ndëshkuar me karton të kuq edhe Al Amin.
Lotët dhe lutjet shoqëruan edhe futbollistët e Kanadasë dhe tifozët, me Kone që la fushën me barelë dhe maskën e oksigjenit. Botërori për të është i përfunduar, ndërsa edhe pse mes dhimbjesh ai ngriti dorën për të përshëndetur tifozët.
Ismael Kone përshëndet tifozët
S.Dh/Shqiptarja.com