Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka folur për projektin amerikan të gazit të lëngshëm natyror, i cili vazhdimisht po refuzohet nga Qeveria e Kosovës që kur ajo udhëhiqet nga Albin Kurti.
Zeka ka treguar se Qeveria e Kosovës, edhe në shkurt të vitit 2026, gjatë një takimi në SHBA, i njohur si Këshilli i Dominimit Energjetik, ku vendi ynë ishte i përfaqësuar, kishte refuzuar të zotohej, krahas shteteve të tjera të Ballkanit, për pranimin e projektit amerikan të gazit.
Tutje, Zeka tha se është e çuditshme se si Qeveria e Kosovës refuzon ta pranojë këtë projekt amerikan.
“Domethënë, tashmë nuk është as sekret. Në shkurt ka pasur në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një takim të asaj që njihet si Këshilli i Dominimit Energjetik, që është themeluar në kuadër të Shtëpisë së Bardhë, pra në kuadër të institucionit më të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kabineti ynë qeveritar ka qenë i përfaqësuar aty dhe, rrjedhimisht, Kosova nuk është zotuar, nuk ka dhënë zotimin e nevojshëm krahas shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është e çuditshme. Nuk arrin askush të kuptojë plotësisht pse Qeveria e Kosovës refuzon të bëjë një hap të tillë. Besoj se në të ardhmen ne do të kemi një dëshirë dhe një interes për t’iu bashkuar një nisme të tillë, aq më tepër duke e ditur se kemi varësi të madhe nga importet energjetike prej shteteve të cilat mund të mos kenë marrëdhënie diplomatike e ndërshtetërore me Republikën e Kosovës, madje as nuk e njohin atë. Në të njëjtën kohë, ne inkurajojmë që t’i themi ‘po’ importit të një burimi të rëndësishëm energjetik nga shteti, nga aleati ynë më i rëndësishëm, që janë Shtetet e Bashkuara”, tha Zeka në një intervistë për Ekonomia online.