Botërori 2026 mbylli llogaritë edhe me Grupin F, teksa mëngjesin e kësaj të premteje me orën shqiptare u zhvilluan dy sfidat e fundit. Holanda fitoi 1-3 kundër Tunizisë dhe si e para e grupit do të përballet në raundin e 1/16-ave kundër Marokut. Ndërkohë që barazimi 1-1 mes Japonisë dhe Suedisë i kalon të dyja skuadrat në raundin e radhës. Japonia ka mësuar se në 1/16-at do të përballet kundër Brazilit. Nga ky grup eliminohet Tunizia.
Në Kansas, Holanda nuk e pati të vështirë dhe fitoi 1-3 kundër Tunizisë. ‘Tulipanët’ kaluan në epërsi pas vetëm tre minutave lojë me autogolin e Skhiri në minutën e tretë. Holanda mbylli llogaritë e ndeshjes në minutën e shtatë me golin e Brobbeyt. Në fillimin e pjesës së dytë afrikanët shkurtuan me Mastourin, por goli shërbeu sa për statistikë pasi Holanda gjeti edhe golin e tretë me autor van Hecken.
Në Teksas, Japonia dhe Suedia barazuan 1-1. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa e dyta nisi furishëm. Ishin aziatikët që kaluan të parët në epërsi me golin e Daizen Maedas, kjo pas një aksioni shumë të bukur me kombinime të rrjedhshme. Vetëm gjashtë minuta zgjati epërsia e Japonisë pasi Anthony Elanga shënoi një supergol nga kufijtë e zonës duke lënë të shtangur në portë Suzukin. Yuto Nagatomo hyri në histori si lojtari i parë aziatik që luan në pesë Kupa Bote (2010, 2014, 2018, 2022, 2026), pasi mori minuta gjatë këtij dueli.
RENDITJA – Pas ndeshjes së fundit në këtë grup, Grupi F mbyllet me kryesimin e Holandës me shtatë pikë, më pas vjen Japonia me pesë pikë, Suedia me katër pikë dhe në fund Tunizia me zero pikë.
Në raundin e 1/16-ave Holanda do të përballet me Marokun, ndërsa Japonia me Brazilin. Suedia pret ende të mësojë rivalin.
Përmbledhje:
Kombëtaret e kualifikuara deri tani në raundin e 1/16-ave: Meksika, SHBA-ja, Gjermania, Argjentina, Franca, Norvegjia, Kolumbia, Zvicra, Kanadaja, Bosnje Hercegovina, Brazili, Maroku, Afrika e Jugut, Bregu i Fildishtë, Ekuadori, Holanda, Japonia, Suedia, Australia.
Kombëtaret e eliminuara deri tani: Haiti, Turqia, Tunizia, Jordania, Panamaja, Katari, Çekia, Kuraçao.
Ndeshjet e fazës së 1/16-ave deri tani: Afrika e Jugut – Kanada, Brazil – Japoni, Holandë – Marok, SHBA – Bosnjë Hercegovinë.