Deklarata e dikurshme e Albin Kurtit se “Kosova nuk pyet pse, por si” për zbatimin e kërkesave amerikane bie në kontrast me qëndrimin e tanishëm të Qeverisë, e cila ka refuzuar projektin e gazit LNG të mbështetur nga SHBA, duke nxitur pyetje se çfarë ka ndryshuar në raport me aleatin kryesor.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti që një kohë po e refuzon kërkesën e ShBA-së që Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ShBA-së, ai dhe qeveria e tij nuk kanë dhënë përgjigje pozitive për këtë çështje. Në disa qëndrime publike, ata kanë vlerësuar se Kosova nuk është kundër këtij projekt, por vendi ka alternativa më të mira.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe përmes të të ngarkuarës me punë në Prishtinë, Anu Prattipati, i kanë bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG).
Në një opinion për mediat kosovare, të publikuar më 5 qershor, Prattipati ka vlerësuar kjo do t’i ndihmonte Kosovës ta siguronte të ardhmen e vet energjetike.
Sipas saj, një veprim i tillë do të mund të forconte sigurinë energjetike dhe më gjer.
Me refuzimin e këtij projekti, Kurti ka shkelur edhe zotimet e tij të para disa vite në lidhje me kërkesa amerikane.
Në prill të vitit 2022, derisa kishte pritur në takim ndihmës-sekretaren e SHBA-së, Karen Donfried, ai pati dhënë një zotim interesant.
Në konferencën për media pas takimit, kryeministri Kurti kishte thënë se kur ka kërkesa nga Amerika, Kosova nuk pyet pse, por si.
“Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë mes dy vendeve tona sidomos në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe të sigurisë. Për ShBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm që nuk pyet pse, por si dhe jo sa, por kur”, kishte deklaruar kryeministri në këtë konferencë.
Një deklaratë ngjashëm, kryeministri i vendit e kishte dhënë edhe në muajin gusht të vitit 2021.
Atëherë kur Kosova po priste afganët, me kërkesë të Amerikës.
“Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si”, ishte shprehur kryeministri.
Por, sot duket se Kurti i ka harruar këto zotime.
Duke refuzuar të flas vet për këtë çështje ai nxjerr ministrat e tij për të thënë se Kosova nuk e ka refuzuar gazin amerikan.
Një gjë të tillë e ka bërë sot edhe ministrja në detyrë, Artan Rizvanolli.
Përmes një video të postuar në profilin e tij në Facebook, ajo ka theksuar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane.
Por, sipas saj, zgjidhja më e favorshme është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi të ri.
“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është “kundër” gazit të lëngëzuar nga ShBA-të (LNG), siç thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë me synim bashkëpunimin në termocentralin e Vlorës me LNG. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi në energji me Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm; dhe, në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë”, ka thënë ai.
Qeveria në detyrë është përballur me thirrje të vazhdueshme, nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, për të hyrë në projektet e gazit amerikan.
Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan ditë më parë se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.
Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Rishtazi është nënshkruar një projekt i madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.