Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin që disponon AKU për kontrollet që i është nënshtruar subjekti privat SORI-AL.
Oficerët e policisë kanë marrë dokumentet në këtë institucion që nga janari deri më tani, për të parë nëse kompania private është kontrolluar siç e parashikon ligji.
Policia e Tiranës kërkon të zbulojë nëse ka parregullsi në kontrollet e ushtruara, që mund të kenë ndikuar në helmimin dy herë të studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Prokuroria e Tiranës është në pritje të analizave zyrtare për të përcaktuar shkakun e vërtetë të helmimit të 64 studentëve të cilët u dërguan në spital me shenja të dukshme helmimi si dhimbje barku, të vjella, temperaturë etj.
Në varësi të përgjigjes së analizave që do merren në dispozicion nga institucionet, mund të ketë edhe urdhër ndalime për persona përgjegjës për helmimin e studentëve.