Rubrika “Në Librari” sjell këtë javë tre botime: ‘Usta Josifi dhe sazet e Përmetit’ nga Niko Mihali, ‘Teo nga 16 në 18’ nga Raluca Nagy dhe ‘Arti i papërsosurisë. Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar’ nga Diana Kastrati.
MONOGRAFI MUZIKORE PËR USA JOSIFIN DHE SAZET E PËRMETIT
Titulli: Usta Josifi dhe sazet e Përmetit
Autori: Niko Mihali
Shtëpia botuese: Mediaprint
Çmimi: 1200 lekë
Tradita e sazeve të Përmetit, figura e mjeshtrit të klarinetës Josif Shukollari dhe trashëgimia muzikore e lënë nga breza instrumentistësh, vijnë në një studim monografik të autorit Niko Mihali.
“Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” dokumenton një pjesë të rëndësishme të muzikës qytetare shqiptare, duke vendosur në qendër të vëmendjes rrugëtimin artistik të Josif Shukollarit dhe lidhjen e tij me shkollën e madhe të Laver Bariut.
“Është një libër që i kushtohet një instrumentisti që ka punuar për gati gjysmë shekulli në institucionet kulturore të Përmetit dhe në veprimtari të ndryshme artistike. Josifi afrohet me orkestrën e sazeve të Usta Laverit dhe për disa dekada ecën së bashku me të, duke mësuar shumë prej mënyrës së interpretimit, ëmbëlsisë së klarinetës dhe traditës së kësaj shkolle”, thotë autori Niko Mihali.
Për Prof. Asoc. Dr. Holta Sina Kilica, përgjegjëse e Departamentit të Muzikologjisë në Universitetin e Arteve, monografia përbën një kontribut të veçantë në dokumentimin e kësaj trashëgimie. Sipas saj, Mihali ndërthur kujtesën kulturore me metodologjinë akademike dhe ndriçon rolin e instrumentistëve e të ansambleve të sazeve në historinë e muzikës shqiptare.
Në libër dokumentohet edhe rrugëtimi i sazeve të Përmetit në skena brenda dhe jashtë vendit, nga bashkëpunimet ndërkombëtare e deri te koncertet në Janinë, Torino, Nikshiq, Pragë, Zagreb, Prizren e më tej.
Një kapitull i rëndësishëm i kësaj historie lidhet me projektin për këngët e Hafize Leskovikut. 18 këngë, të interpretuara nga Adriana Thanasi dhe të shoqëruara nga klarinetisti Josif Shukollari me Sazet e Përmetit, u regjistruan në vitin 2022, në bashkëpunim me Klodian Qafokun.
“Ky ishte një nga projektet më të rëndësishme. Këngët e Hafize Leskovikut, të kënduara nga Adriana Thanasi dhe të shoqëruara nga Josifi, u regjistruan në një CD të veçantë dhe u pritën jashtëzakonisht mirë. Më pas, këto materiale u bënë pjesë edhe e dokumentimit të kabave dhe të trashëgimisë muzikore shqiptare”, thotë Mihali.
Akademiku Vasil Tole e vlerëson monografinë për faktin se i jep vendin e merituar Josif Shukollarit dhe sazeve të tij, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e kabasë së Përmetit, tashmë pjesë e pasurisë së mbrojtur të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në fokus është edhe një tjetër dokument me vlerë: lista e kabave dhe valleve të Sazeve të Përmetit nga viti 1988 deri në vitin 2025, që krijon një hartë të kujtesës muzikore dhe të veprimtarisë së instrumentistëve ndër vite.
Josif Shukollari konsiderohet nga specialistët si një nga nxënësit më të spikatur të shkollës laveriane dhe një pasardhës i denjë i Laver Bariut. Kontributi i tij shtrihet në festivale, koncerte dhe projekte të shumta, ndërsa interpretimet e tij kanë çuar tingullin e sazeve të Përmetit edhe në skenat ndërkombëtare.
Për autorin Niko Mihali, ky botim nuk është vetëm një monografi për një instrumentist, por një përpjekje për të ruajtur kujtesën e një tradite.
“Rruga e Josif Shukollarit është një rrugë në ngjitje, e kaluar përmes shumë vështirësive, por edhe përmes mbështetjes së mjeshtërve dhe kolegëve të tij. Ai ka vazhduar me besnikëri punën e nisur nga Usta Laveri dhe ka kontribuar që emri i Sazeve të Përmetit të vazhdojë të jetojë”, thotë autori.
“Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” mbetet kështu një dëshmi për një pasuri muzikore që ka përcjellë ndër breza tingullin, stilin dhe shpirtin e Përmetit. Një libër që, përmes dokumentimit të repertorit dhe historive të instrumentistëve, synon që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm kujtim, por të vazhdojë të dëgjohet edhe nga brezat që vijnë.