“Unë pres shumë, sepse në skuadër ka shumë kualitet, ka lojtarë shumë të mirë. Të shfrytëzojmë ata lojtarë të cilët i kemi marrë me pagesa pak si shumë të mira”. Me këto fjalë, presidenti i Tiranës, Refik Halili, duket se ka dërguar një mesazh të qartë për trajnerin Dean Klafuriç. Kreu i klubit bardheblu pret më shumë nga investimi i bërë në merkato, por çështja që shtrohet është se cilët janë lojtarët që duhet të marrin më shumë përgjegjësi në fushë.
Në derbi, Tirana aktivizoi nga minuta e parë Erdon Dacin, Redon Xhixhën dhe Drilon Hazrollajn, ndërsa në stol mbetën emra si Bernard Berisha, Fredi Alvarez dhe Tomislav Kish. Lojtarë që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të investimit të klubit. Pikërisht këtu qëndron dilema për Klafuriçin. Si të gjejë vendin në formacion për të gjithë futbollistët me peshë, pa prishur ekuilibrat e skuadrës. Trajneri kroat përballet me një situatë jo të lehtë, pasi ka në dispozicion disa alternativa cilësore në repartin ofensiv, por numri i vendeve në formacion është i kufi zuar. Përveç një lojtari të ri, aktivizimi i të cilit mund të jetë pjesë e objektivave të klubit, tekniku duhet të menaxhojë edhe konkurrencën mes futbollistëve të tjerë. Kjo e bën zgjedhjen e titullarëve një çështje delikate, sidomos kur në lojë janë edhe pritshmëritë e drejtuesve për lojtarët e afruar me investime të konsiderueshme.
Lojtarët që presin më shumë hapësira
Bernard Berisha është një prej emrave me eksperiencë që mund t’i japë Tiranës shpejtësi dhe krijimtari në krahun e majtë. Në pesë ndeshje, ai ka regjistruar 216 minuta aktivizim, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të fi tojë më shumë hapësira në vazhdim. Fredi Alvarez, mesfushori ofensiv, ka luajtur në pesë nga gjashtë ndeshjet e regjistruara, me 335 minuta në total. Cilësitë e tij teknike mund të jenë një alternativë e rëndësishme për ndërtimin e aksioneve dhe krijimin e rasteve. Tomislav Kish është një tjetër emër që kërkon rol më të rëndësishëm në skuadër. Sulmuesi ka luajtur pesë ndeshje, me 342 minuta në fushë, dhe përfaqëson një alternativë për repartin ofensiv. Nga ana tjetër, Erdon Daci, Redon Xhixha dhe Drilon Hazrollaj kanë marrë më shumë minuta dhe kanë qenë titullarë në derbi. Daci ka regjistruar 146 minuta në pesë ndeshje, Xhixha 412 minuta në gjashtë ndeshje, ndërsa Hazrollaj 426 minuta në pesë takime. Këto shifra tregojnë se trajneri u ka besuar një rol të rëndësishëm, por njëkohësisht shtojnë konkurrencën për vendet në formacion.
Gjashtë emra, pak vende në formacion
Problemi i Klafuriçit nuk lidhet vetëm me cilësinë individuale, por edhe me mënyrën se si mund t’i përshtatë lojtarët në një strukturë funksionale. Berisha, Alvarez dhe Kish kërkojnë hapësirë, ndërsa Daci, Xhixha dhe Hazrollaj kanë qenë pjesë e zgjedhjeve të para të trajnerit në derbi. Në këtë situatë, fjalët e Refi k Halilit mund të lexohen si një kërkesë për të marrë më shumë nga investimi i bërë në merkato. Drejtuesit presin që lojtarët e afruar me kosto të lartë të ndikojnë në rezultatet e skuadrës, ndërsa trajnerit i takon të gjejë kombinimin që sjell më shumë efektivitet në fushë. Për Klafuriçin, sfi da është të menaxhojë konkurrencën dhe të mos lërë jashtë loje futbollistë që mund të bëjnë diferencën. Për Halilin, ndërkohë, pritshmëria është që cilësia dhe investimi të përkthehen në rezultate. Pikërisht te kjo përplasje mes pritshmërive të drejtuesve dhe zgjedhjeve të trajnerit qëndron një nga dilemat kryesore të Tiranës.