Papa Leon XIV merr pjesë në meshën e shenjtë për inaugurimin e vitit akademik të universiteteve papnore në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, më 8 tetor 2026.
Vatikani: Papa Leon diagnostikohet me kancer në mushkëri
Papa Leno XIV po rikuperohet në një spital në Romë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme, gjatë së cilës iu hoq një pjesë e mushkërisë së djathtë, ku ishte zbuluar një masë kanceroze, sipas një deklarate të Vatikanit.
Vatikani njoftoi të martën në mbrëmje se operacioni kishte përfunduar «sipas planit» dhe se Papa Leon «është kthyer në dhomën e tij».
Në një përditësim të publikuar të mërkurën në mëngjes, Vatikani bëri të ditur se Papa kishte kaluar «një natë të qetë».
«Ati i Shenjtë iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në kraharor, siç ishte planifikuar», thuhej në një deklaratë të mjekut Luigi Carbone dhe profesorit Stefano Margaritora. «Lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë u hoq me anë të kirurgjisë së asistuar me video.»
Ekzaminimi i mëtejshëm i lobit të hequr zbuloi shenja të adenokarcinomës pulmonare, një lloj i zakonshëm i kancerit të mushkërive, thanë ata. E gjithë ndërhyrja zgjati rreth 90 minuta.
Analizë e diagnozës së kancerit të Papës nga një kardiolog
Operacioni u krye të martën pasdite në spitalin Policlinico Universitario Agostino Gemelli, në veriperëndim të Romës, një institucion privat mjekësor me lidhje të gjata me Vatikanin. Kjo është hera e parë që Papa shtrohet në spital gjatë pontifikatit të tij.
Nuk dihet që Papa Leon të ketë qenë duhanpirës. Ai është përpjekur të ndjekë një mënyrë jetese të shëndetshme, madje, gjatë kohës kur shërbente si kardinal, dihej se kishte një trajner personal.
Periudha tjetër kryesore e shtrimit të tij në spital ishte në vitin 1985, kur vuajti nga ethet tifoide në Peru.
Në familjen e tij ka pasur raste të kancerit. Vëllai i tij i madh, Louis Prevost, aktualisht po trajtohet për këtë sëmundje, e cila iu diagnostikua për herë të parë në vitin 2017.
Nëna e Papës, Mildred, vdiq nga kanceri në vitin 1990. Babai i tij, i quajtur gjithashtu Louis, vdiq në vitin 1997 nga kanceri i zorrës së trashë dhe sëmundjet e zemrës.
Të dielën, Papa 71-vjeçar u tha njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit se mjekët kishin zbuluar një «nodul» në mushkërinë e tij dhe i kishin këshilluar që ta hiqte.
Të dielën, Leon tha se masa ishte zbuluar «në një fazë shumë të hershme» dhe se ishte «e kufizuar mirë».
Papa Leon përshëndet dashamirësit brenda spitalit Gemelli në Romë, përpara operacionit për heqjen e një noduli në mushkëri, të martën. Foto: Vatican Media përmes Reuters.
Spitali ka një suitë të veçantë dhomash për Papën në katin e dhjetë. Papa Gjon Pali II, i cili qëndronte shpesh aty, e quajti këtë vend «Vatikani tre». Bazilika e Shën Pjetrit konsiderohet Vatikani një, ndërsa rezidenca papnore në Castel Gandolfo, Vatikani dy.
Edhe Papa Françesku qëndroi për një periudhë të gjatë në këtë spital në fillim të vitit të kaluar, kur u trajtua për pneumoni.
Papa i ka anuluar të gjitha aktivitetet publike deri më 20 tetor.
«Operacionet për heqjen e një noduli zakonisht janë minimalisht invazive dhe kanë një shkallë të ulët komplikacionesh», tha më herët gjatë kësaj jave Dr. Matthew Triplette, drejtor mjekësor i Programit të Kontrollit për Kancerin e Mushkërive dhe specialist në mjekësinë pulmonare dhe të kujdesit intensiv në Qendrën e Kancerit Fred Hutchinson në Seattle.
Ai shtoi se pacientët zakonisht qëndrojnë në spital për disa ditë dhe më pas vazhdojnë rikuperimin në shtëpi.
«Këto ndërhyrje për heqjen e nodulit zakonisht janë minimalisht invazive dhe kanë një shkallë të ulët komplikacionesh», i tha Triplette CNN-së përpara se të konfirmohej diagnoza e Papës.
«Nëse bëhet fjalë për kancer, rezultatet janë mjaft të mira. Për fazat më të hershme të kancerit të mushkërive me qeliza jo të vogla, mbijetesa pa sëmundje për pesë vjet është mbi 80%.»
Papa Leon mbërrin në spitalin Gemelli përpara ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një noduli në mushkëri, në Romë, Itali, më 13 tetor 2026. Foto: Reuters/Ciro de Luca.
Vatikani do të vazhdojë të funksionojë gjatë kohës që Papa ndodhet në spital, megjithëse çdo çështje që kërkon firmën e tij do të duhet të shtyhet.
Një zëdhënës tha të dielën se Papës do t’i nevojitej rreth një javë për t’u rikuperuar pas operacionit.
Vatikani nuk ka rregulla të posaçme për mënyrën se si transferohet udhëheqja e Kishës Katolike në rast se Papa bëhet i paaftë për të ushtruar funksionet e tij. Edhe nëse është pa ndjenja dhe po i nënshtrohet një operacioni, Papa ruan autoritetin e plotë papnor.
Si Papa Françesku, ashtu edhe Papa Gjon Pali II, kanë nxjerrë ligje dhe deklarata gjatë periudhave kur ndodheshin të shtruar në spital.
Veprimtaritë e përditshme të Vatikanit menaxhohen tashmë nga një ekip i veçantë.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u tha mediave italiane të martën se kleri katolik po lutet për shëndetin e mirë të Papës.
«Të gjithëve na bëri përshtypje qetësia me të cilën Papa e njoftoi këtë ndërhyrje», tha Parolin. «Shpresojmë që ai ta kapërcejë këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi të besuar, por natyrisht, po e mbështesim me lutjet tona.»
Parolin shpjegoi se e kishte takuar Leon një natë më parë dhe se nevoja për operacion kishte ardhur si një surprizë.
«Biseduam shumë qetësisht», tha ai. «A jam i shqetësuar? Po, sepse sigurisht që nuk e prisja diçka të tillë.»
«Është diçka që, falë Zotit, u zbulua menjëherë», vazhdoi Parolin. «Dhe zakonisht, kur këto gjëra zbulohen në kohë, mund të trajtohen me sukses.»
Papa kishte ndjekur orarin e tij të zakonshëm dhe të ngjeshur të hënën, duke zhvilluar takime njëri pas tjetrit gjatë paradites, përpara se të merrte pjesë në një takim të peshkopëve dhe udhëheqësve të Kishës në Vatikan.
Lajmi për operacionin e Papës së parë amerikan ka sjellë një valë urimesh dhe mesazhesh mbështetjeje nga e gjithë bota, përfshirë edhe nga njerëzit që po vizitojnë Romën.
«Shpresojmë që ndërhyrja e tij të shkojë mirë», tha Paul Kavulich, i cili po vizitonte Romën të hënën në një pelegrinazh me vajzën e tij. Ai është nga qyteti i lindjes së Papës, Çikago.
«Dhe Zoti është me të — për këtë nuk ka asnjë dyshim», shtoi ai.
Zyra e shtypit e Vatikanit tha se masa në mushkërinë e Papës ishte zbuluar gjatë «kontrolleve rutinë».
Nuk dihet që Leon të ketë probleme të tjera shëndetësore dhe ai pëlqen të qëndrojë aktiv, duke luajtur tenis dhe duke notuar.