Papa Leone XIV pas diagnostikimit me kancer malinj në mushkëri, iu nënshtrua një operacioni ditën e djeshme, i cili zgjati 3 orë. Vatikani thotë se ndërhyrja rezultoi me sukses dhe se Papa është në gjendje të mirë shëndetësore. Papa u operua në spitalin ‘’Gemelli’ në Romë dhe pritet të qëndrojë aty rreth një javë.
“Ndërhyrja kirurgjikale në mushkëri, së cilës iu nënshtrua Papa Leone XIV në spitalin Gemelli të Romës, ka përfunduar me sukses, brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar. Pas operacionit, Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij të spitalit”, njoftoi Salla e Shtypit e Vatikanit.
Tumori në mushkri u zbulua për herë të parë gjatë asaj që Vatikani e ka përshkruar si “kontrolle rutinë”.
Para mbërritjes së Papës në spital, dhjetëra besimtarë u mblodhën për ta përshëndetur, duke i shprehur mbështetjen dhe urimet për shërim të shpejtë. Papa iu përgjigj me buzëqeshje dhe përshëndetje nga makina e tij.
Papa Leone XIV ka kaluar një natë të qetë në spitalin Gemelli në Romë, pas operacionit për heqjen e një tumori në mushkërinë e djathtë. Sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar me sukses dhe sipas burimeve mjekësore indi kanceroz është hequr plotësisht.
Papa u diagnostikua me adenokarcinomë pulmonare, një lloj tumori i mushkërive, dhe iu nënshtrua heqjes së lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë. Mjekët kanë bërë të ditur se operacioni ka shkuar mirë, pa komplikacione. Për momentin, nuk është folur për nevojën e kimioterapisë, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të kryhen kontrolle të tjera pas operacionit.
Ndërkohë, pavarësisht shtrimit në spital, Papa ka vijuar të ushtrojë detyrat e tij. Ai ka autorizuar emërimin e dy ipeshkvijve të rinj, një në Sllovaki dhe një në Brazil.
Në Vatikan, kardinali Luis Antonio Tagle ka kremtuar meshën përmbyllëse të takimit ndërkombëtar kushtuar familjes, duke lexuar homelinë e përgatitur nga Papa Leone XIV. Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë ka theksuar rëndësinë e familjes, dashurisë dhe lutjes së përbashkët, duke bërë thirrje që familjet të rikthejnë zakonin e lutjes së bashku në shtëpi.
Vatikani ka njoftuar se informacione të tjera mbi gjendjen shëndetësore të Papës do të bëhen publike gjatë ditës. Për momentin, lajmi kryesor është se ndërhyrja ka përfunduar me sukses dhe se nata e parë pas operacionit ka kaluar e qetë.