Ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov, beson se negociatat për paqe me presidentin rus, Vladimir Putin, nuk kanë gjasa të japin rezultate, pasi, sipas tij, Kremlini nuk ka hequr dorë nga synimi për të zhdukur Ukrainën si shtet të pavarur. Ai argumenton se përpjekjet ndërkombëtare duhet të përqendrohen te mbështetja e Ukrainës për të fituar luftën, duke krijuar kështu kushtet për dobësimin dhe rënien e regjimit të Putinit.
Në një intervistë për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë (REL), të zhvilluar në Varshavë më 11 tetor, Kasparov theksoi se negociatat kanë kuptim vetëm kur palët janë të gatshme të bëjnë lëshime të ndërsjella.
“Është ndryshe nëse bisedimet kanë mundësi ta zgjidhin një problem përmes lëshimeve të ndërsjella. Planet e Putinit nuk kanë ndryshuar. Ai ia ka vënë vetes si synim ta zhdukë Ukrainën si shtet të pavarur dhe nuk ka hequr dorë nga ky synim”, tha Kasparov.
Pas largimit nga shahu profesionist, Kasparov u bë një prej kundërshtarëve më të njohur të pushtetit rus. Ai u largua nga Rusia në vitin 2013 dhe aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara, ku drejton Forumin për Rusinë e Lirë, organizatë që themeloi në vitin 2016. Së fundmi, ai ka deklaruar se autoritetet amerikane e kanë paralajmëruar për një komplot të mundshëm të Kremlinit për ta vrarë.
## Mbështetja për Ukrainën
Kasparov u bëri thirrje forcave politike ruse në mërgim që ta përqendrojnë veprimtarinë e tyre te ndihma për Ukrainën. Sipas tij, organizata që drejton ka mbledhur rreth 15 milionë dollarë për projekte të ndryshme në mbështetje të vendit të sulmuar nga Rusia.
“Ne kemi kontakte të drejtpërdrejta me Legjionin e Rusisë së Lirë dhe Korpusin Vullnetar Rus (RDK)”, tha ai, duke iu referuar dy formacioneve të armatosura ruse që luftojnë përkrah forcave ukrainase. “Ne mbledhim fonde për këtë qëllim”.
Përveç mbledhjes së fondeve, Kasparov ka zhvilluar përpjekje lobuese në Kongresin amerikan për të siguruar mbështetje për Ukrainën. Ai pretendoi se grupi i tij kishte ndikuar që 15 republikanë të ndryshonin votën e tyre në një rast të caktuar, por ky pretendim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Kasparov ka kritikuar vazhdimisht edhe presidentin amerikan, Donald Trump, veçanërisht për përpjekjet e tij për të afruar marrëdhëniet me Putinin. Ai kundërshtoi ashpër edhe marrëveshjen e njoftuar nga Trump për blerjen e naftës dizel nga Rusia.
“Ai vazhdon të veprojë në interes të Putinit. Deklaratat e tij të fundit përbëjnë shkeljen më flagrante të ligjeve amerikane, përfshirë legjislacionin për sanksionet, të cilin Trumpi e ka nënshkruar vetë”, deklaroi Kasparov.
Ai e lidhi gjithashtu presionin e ushtruar nga Trump ndaj Ukrainës me zhvillimet e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara, duke iu referuar zgjedhjeve afatmesme që, sipas tij, e vendosin presidentin në një pozitë të vështirë.
Trump ka argumentuar se blerja e naftës dizel ruse do të ndihmonte në uljen e presionit mbi tregjet amerikane dhe ndërkombëtare. Mungesa e këtij karburanti, e lidhur me konfliktin me Iranin dhe e rënduar nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse, ka kontribuar në rritjen e çmimeve.
“Ulja e çmimeve për amerikanët, veçanërisht për fermerët tanë të mëdhenj, blegtorët dhe shoferët e kamionëve, është prioriteti im më i madh”, shkroi Trump në rrjetet sociale më 9 tetor.
Marrëveshja është kundërshtuar nga përfaqësues të të dyja partive në Kongresin amerikan. Kritikët kanë rikujtuar ligjin e vitit 2022 që ndalon importet e naftës ruse në Shtetet e Bashkuara, përveç rasteve kur presidenti vërteton se Rusia ka përmbushur kushtet ligjore përkatëse. Ndër këto kushte përfshihen tërheqja nga Ukraina, njohja e sovranitetit të saj dhe heqja e kërcënimit ndaj NATO-s.
## Rënia e Putinit si mundësi për ndryshime në Rusi
Kasparov ndau shqetësimet e zyrtarëve të lartë evropianë të NATO-s se Moska mund të jetë duke përgatitur forma të reja të përshkallëzimit të agresionit kundër aleancës. Shqetësimet lidhen me një fushatë të dyshuar hibride ruse, që përfshin incidente me dronë, sabotime dhe përpjekje për atentate.
Kremlini ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në incidentet për të cilat zyrtarët perëndimorë e kanë akuzuar.
Sipas Kasparovit, lufta kundër Ukrainës nuk është thjesht një konflikt ushtarak për Moskën, por një element thelbësor i mënyrës se si funksionon dhe justifikohet pushteti i Putinit. Ai argumenton se rëndësia e luftës pasqyrohet si në shpenzimet e mëdha ushtarake të Rusisë, ashtu edhe në propagandën zyrtare.
“Ose Ukraina do të thyhet nga sulmet kundër popullsisë së saj civile, ose do të qëndrojë e fortë dhe, në atë rast, regjimi [rus] do të shembet”, tha ai.
“Kjo nuk do të thotë se nesër gjithçka do të jetë mirë në Rusi. Por rënia e një regjimi gjithmonë krijon një dritare mundësie”.
Kasparov vlerëson se lufta ka ndihmuar në forcimin e strukturave të pushtetit të Putinit, duke u dhënë atyre personel të ri dhe duke zgjeruar ndikimin e veteranëve në institucionet shtetërore. Ai përmendi hyrjen e ish-pjesëtarëve të forcave ruse që kanë luftuar në Ukrainë në Dumën Shtetërore, dhomën e ulët të parlamentit rus, si një shembull të këtij procesi. Sipas tij, shumë veteranë të tjerë mund të përfshihen në nivele të ndryshme të administratës dhe hierarkisë shtetërore.
Megjithatë, ndërsa lufta vazhdon, Rusia përballet me humbje njerëzore dhe me sulme gjithnjë e më të shpeshta ukrainase ndaj rafinerive të naftës, depove dhe qendrave të të dhënave. Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme të qytetarëve rusë, ndërsa sondazhet e opinionit të këtij viti kanë sinjalizuar rënie të mbështetjes për Putinin.
Kasparov beson se një humbje ruse në Ukrainë mund të sjellë ndryshime të thella në shoqërinë e vendit dhe të dobësojë bindjen se regjimi aktual nuk ka alternativë.
“Madje, besoj se shumica dërrmuese [e rusëve] mund të jetë e gatshme ta pranojë demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai.
“Më duket se dështimi në luftë do t’i detyrojë njerëzit, në mënyrë të pashmangshme, të mendojnë për alternativa më të mira”.