Presidenti francez Emmanuel Macron ka akuzuar grupet e ekstremit të majtë se qëndrojnë pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë disa qytete të Francës, duke paralajmëruar masa më të ashpra sigurie dhe mundësinë e ndalimit të demonstratave të reja.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Pallatin Elysee, Macron deklaroi se një pjesë e sulmeve dhe akteve të dhunshme ishin të organizuara dhe të planifikuara, me synimin, sipas tij, për të minuar institucionet e Republikës Franceze.
Presidenti francez bëri të ditur se në ditët në vijim mund të ndalohen protestat që nuk organizohen nga sindikata apo struktura të njohura. Një tjetër masë që po shqyrtohet është përcaktimi i rrugëve të posaçme për marshimet e autorizuara, për të shmangur dëmtimin e bizneseve, dyqaneve dhe pronës publike.
Macron paralajmëroi gjithashtu një tjetër mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, ku do të vlerësohet situata dhe do të shqyrtohen masa shtesë përpara protestave të paralajmëruara për fundjavën.
Sipas presidentit francez, mijëra persona janë ndaluar nga policia dhe qindra të tjerë janë burgosur pas përleshjeve gjatë demonstratave. Ai theksoi se hetimet do të vijojnë dhe se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në akte dhune do të përballen me drejtësinë.
Situata ka qenë veçanërisht e tensionuar në Lyon, ku gjatë trazirave janë plaçkitur dhjetëra dyqane, janë djegur objekte dhe ka pasur përplasje me policinë. Kryebashkiaku i qytetit i përshkroi ngjarjet si disa orë kaosi.
Pas këtyre incidenteve, autoritetet lokale kanë ndaluar të gjitha demonstratat e planifikuara për të shtunën. Vendime të ngjashme janë marrë edhe në zona të caktuara të Parisit dhe qyteteve të tjera franceze.
Megjithatë, organizatorët e protestave, mes tyre lëvizja “Jelekët e Verdhë” dhe disa sindikata, kanë bërë thirrje për protesta të reja në mbarë vendin, si dhe për një grevë të përgjithshme në fillim të nëntorit.
Ndërkohë, qeveria franceze ka bërë të ditur se do të vijojë bisedimet me sindikatat, partitë politike, organizatat studentore dhe përfaqësuesit e punëdhënësve për të trajtuar shqetësimet sociale, ekonomike dhe arsimore, veçanërisht ato të të rinjve.