Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, e cila përfshin gjashtë instrumente që synojnë dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave, forcimin e masave ndëshkuese ndaj personave që ushtrojnë dhunë dhe parandalimin e dëmtimit të pronës publike e private. Prezantimi vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës. Rama akuzoi Partinë Demokratike se kishte dalë nga prapavija dhe ishte vënë në krye të dhunës, duke pretenduar se selia e saj ishte përdorur si strehim politik dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse për protestuesit. Ai gjithashtu pretendoi se në protestën e një dite më parë kishin ardhur nga Spanja persona të veshur me bluza të bardha, të cilët i cilësoi si mercenarë të paguar për të nxitur dhe ushtruar dhunë. “Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku Partia Demokratike doli nga prapavija, mu në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik e në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe të gjitha burimet e kësaj flame antidemokratike. Jini të sigurt, se edhe këtë flamë fatkeqësie jonatyrore, do ta shuajmë me patjetër”, deklaroi Rama, duke shtuar se personat që ushtrojnë dhunë nuk kanë asnjë shans t’i diktojnë vendit drejtimin politik. Sipas tij, protestat e dhunshme synojnë ta kthejnë Shqipërinë pas, në një moment kur vendi është pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kjo është përgjigja jonë ligjore ndaj dhunës dhe anarkisë urbane të ushqyer nga duar të mbrapshta dhe një turmë dhunuesiosh që mund ta shohë e gjithë Shqipëria se kush i sjell në qendër të Tiranës duke i nxitur, paguar e orkestruar jo për një Shqipëri më të mirë por për ta kthyer mbrapsht kur jemi më pranë pikëmbërritjes e kur flamuri i Ismail Qemalit është ngritur më lart se kurrë. Por këtë herë nuk do t’ia dalin”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se “Zhurmën e kanë të madhe, shanset 0”. Ai shtoi se do të prezantojë edhe risitë e buxhetit të vitit 2027, me synimin, sipas tij, për të paraqitur vendime konkrete për qytetarët.
Një nga masat kryesore të paketës është dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara gjatë protestave përmes një akti normativ që parashikon mbështetje të menjëhershme financiare për dëmet e shkaktuara nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret. Sipas Ramës, bizneset e vogla do të dëmshpërblehen deri në 100% të dëmit material, ndërsa për bizneset më të mëdha mbulimi do të jetë të paktën 70%, në bazë të kritereve të përcaktuara dhe për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro. Ai bëri të ditur se bizneset që kanë depozituar aplikimet dhe dokumentacionin përkatës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të përfituar dëmshpërblimin. “Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri. Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë”, deklaroi Rama, duke theksuar se personat përgjegjës për dëmet, për të cilët gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë pjesën që u takon për dëmet e shkaktuara. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e tyre do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.
Instrumenti i dytë parashikon një ligj të posaçëm për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve, bazuar në parimin “Kush thyen, paguan”. Sipas kryeministrit, ligji do të zbatohet për tubimet e zhvilluara në vende publike, qofshin të njoftuara, të ndaluara apo spontane, si dhe për grumbullimet sportive, kulturore dhe festive kur shkaktohen dëme materiale. Rama sqaroi se përgjegjësia financiare nuk do të lindë thjesht nga pjesëmarrja në një protestë, por nga sjellja individuale e personit. “Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre. Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit, dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes”, deklaroi ai. Megjithatë, sipas masave të propozuara, personat që qëndrojnë në një turmë ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj dhe pa u larguar pas paralajmërimeve të policisë, mund të mbajnë përgjegjësi administrative dhe të gjobiten deri në 500 mijë lekë. Nga ky rregull përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët e rastësishëm. Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në protesta të dhunshme, gjobat do të paguhen nga prindërit ose kujdestarët, sipas parashikimeve ligjore.
Pjesë e paketës janë edhe ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, të cilat synojnë të rrisin kapacitetet parandaluese dhe reaguese të policisë ndaj dhunës në hapësirat publike dhe thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Sipas Ramës, kur ekziston një rrezik real dhe i afërt për dhunë, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë brenda një perimetri të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore. Për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale, parashikohet që fillimisht t’i kërkohet mbajtësit të llogarisë fshirja e menjëhershme e postimit dhe mos përsëritja e sjelljes, ndërsa në rast mosbindjeje ose përsëritjeje mund të nisë procedimi sipas legjislacionit në fuqi. Paketa parashikon gjithashtu sanksione për personat që marrin pjesë në tubime pa leje dhe nuk i binden urdhrave të policisë, me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, si dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për mosbindje ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehje të identitetit gjatë tubimeve. Për bllokimin e qarkullimit parashikohet gjobë prej 5 mijë lekësh për çdo pjesëmarrës. Ndërkohë, fshehja e identitetit gjatë protestave parashikohet të përfshihet në Kodin Penal si vepër penale, duke ndjekur, sipas kryeministrit, modelin francez.
Një tjetër instrument është krijimi, me vendim të Këshillit të Ministrave, i Regjistrit të Posaçëm Elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike. Regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat identifikuese të personave të përfshirë. Sipas Ramës, përmes këtij mekanizmi, autoritetet kufitare do të mund të refuzojnë daljen nga Shqipëria të personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për veprat përkatëse. Parashikohet gjithashtu njoftimi i autoriteteve të huaja, strukturave akomoduese dhe kompanive të transportit ajror, detar apo hekurudhor për rrezikshmërinë që mund të paraqesin këta persona për rendin dhe sigurinë publike. “Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë”, deklaroi kryeministri.
Instrumenti i pestë lidhet me ndryshimet në Kodin e Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar, me synimin që shkolla të mbetet një hapësirë e sigurt për fëmijët. Sipas propozimit, mësuesit nuk do të mund të përdorin autoritetin e tyre profesional për të nxitur, organizuar apo koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës dhe pritshmëritë e prindërve. Shkeljet e këtij parimi mund të sjellin pezullimin ose largimin nga detyra, ndërsa Rama theksoi se masa nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur apo për të protestuar vetë. Instrumenti i gjashtë përfshin ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, të cilat, sipas kryeministrit, synojnë të ndëshkojnë më ashpër dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen, si në hapësirat publike, ashtu edhe përmes rrjeteve sociale. Propozimet parashikojnë dënime për qëndrimin në tubime të dhunshme pas paralajmërimeve të policisë, mbajtjen e armëve ose sendeve të rrezikshme, fshehjen e fytyrës në rrethana të caktuara dhune, shkatërrimin e pronës dhe nxitjen publike për dhunë, plaçkitje apo shkatërrim. Parashikohen gjithashtu masa kundër kërcënimeve online, përndjekjes së vazhdueshme, publikimit të të dhënave personale me qëllim ekspozimin e dikujt ndaj sulmeve dhe shpërndarjes pa pëlqim të videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale, kur ato mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm personit të përfshirë. Sipas paketës, kritika politike, protesta paqësore, gazetaria, satira dhe parodia e shënuar si e tillë nuk do të ndëshkohen.
Rama theksoi se paketa është hartuar në bashkëpunim me ekspertë europianë dhe në koordinim me partnerët italianë e francezë, duke iu referuar praktikave të këtyre vendeve dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai deklaroi se masat janë në përputhje, sipas vlerësimit të qeverisë, me nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor. Kryeministri përsëriti se qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë qeverinë dhe të kërkojnë dorëheqjen e tij, por jo të përdorin dhunën për të imponuar vullnetin e tyre. “Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim, jo sot po dje, është në lirinë dhe të drejtën e tij ta mendojë, propagandojë apo kthejë në protestë këtë dëshirë. Këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojë se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni. Unë jam i gatshëm të dëgjoj këdo që do më parashtrojë kundërshtimin e tij ballë për ballë dhe kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund të ma imponojë me dhunë apo me çdo formë tjetër”, u shpreh Rama, duke shtuar se shteti ka detyrimin të mbrojë qytetarët dhe pronën publike e private nga çdo akt dhune. Në përfundim, ai u shpreh i bindur se protestat e dhunshme nuk do ta pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë: “Por këtë herë nuk do t’ia dalin. Zhurmën e kanë të madhe, shanset 0”.