Një tërmet me magnitudë 6,7 ka tronditur Perunë duke shkaktuar momente frike edhe në kryeqytetin Lima, ku qindra persona kanë braktisur banesat dhe ndërtesat publike. Tërmeti u regjistrua në orën 19:09 sipas kohës lokale (00:09 me atë shqiptare), me epiqendër në rajonin e Andeve, Junín, rreth 30 kilometra në veriperëndim të qytetit me të njëjtin emër, në një thellësi prej 129 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë në shumë rajone të vendit, përfshirë Limën, Callao, Ica, Pasco dhe Huánuco. Në Miraflores, një nga lagjet e kryeqytetit, gazetarët e Agjencisë France-Presse kanë vërejtur shumë njerëz që dolën në rrugë si masë paraprake. Tërmeti u ndje edhe në disa zona të Ekuadorit.
Njoftimet e para zyrtare nuk raportuan për viktima apo dëme të konsiderueshme. Megjithatë, verifikimet e mëvonshme nga Mbrojtja Civile e Perusë dokumentuan pasoja në disa zona. Në rajonin e Junín u raportuan dëme në ndërtesa banimi dhe objekte publike, përfshirë spitalin e Pichanaqui-t dhe disa struktura universitare në Chanchamayo. Në Ulcumayo u raportuan 14 banesa të dëmtuara.
Tërmeti shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrëshqitje gurësh në disa akse rrugore. Veçanërisht të prekura ishin disa segmente të rrugës mes Tarma-s dhe San Ramón-it, si dhe rruga që lidh Limën me Huancayo-n, ku ndërhynë ekipet e emergjencës dhe mjetet për të larguar materialet e rëna në karrexhatë. Nuk raportohet për të vdekur apo të plagosur.
Peruja ndodhet përgjatë të ashtuquajturës Unaza e Zjarrit e Paqësorit, një brez i gjerë që rrethon oqeanin dhe përqendron një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit sizmik dhe vullkanik në botë. Vendi është veçanërisht i ekspozuar ndaj tërmeteve për shkak të konvergjencës së pllakës tektonike Nazca me atë të Amerikës së Jugut. Në vitin 2007, një tërmet shkatërrues me magnitudë 7,9 ballë goditi rajonin e Ica-s, duke shkaktuar rreth 500 viktima.