Shqipëria feston këtë 28 Nëntor 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një prej datave më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar. Në këtë ditë përkujtohet akti historik i 28 nëntorit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi në Vlorë dhe shpalli krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, pas afro pesë shekujsh nën sundimin osman.
Përvjetori i Pavarësisë shënohet me ceremoni përkujtimore, mesazhe urimi dhe aktivitete festive në qytete të ndryshme të vendit. Vëmendja kryesore është përqendruar në Vlorë, aty ku u hodhën themelet e shtetit shqiptar, ndërsa në kryeqytet, përveç atmosferës festive, janë paralajmëruar edhe protesta nga grupime të ndryshme.
Me rastin e kësaj dite, krerët më të lartë të institucioneve shqiptare kanë përcjellë mesazhet e tyre për qytetarët. Kryeministri Edi Rama e ka lidhur simbolikën e 28 Nëntorit me rrugëtimin europian të Shqipërisë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vënë theksin te shqiponja dykrenare si simbol i lirisë, historisë dhe krenarisë kombëtare.
Një mesazh urimi ka ardhur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili në emër të Shteteve të Bashkuara ka vlerësuar marrëdhëniet strategjike me Shqipërinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Rama: 28 Nëntori më i afërt me Europën e Bashkuar
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale për të përcjellë urimin e tij në 114-vjetorin e Pavarësisë. Përmes një fotografie nga Vlora, kreu i qeverisë ka ndarë një mesazh ku festën kombëtare e lidh me aspiratën e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
“Mirëmëngjes dhe me 28 nëntorin më të afërt me europën e bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.
Mesazhi i kryeministrit vjen në një moment kur integrimi europian mbetet një prej prioriteteve kryesore të politikës së jashtme shqiptare. Referimi i tij te një 28 Nëntor më pranë Europës së Bashkuar e vendos festën e Pavarësisë edhe në kontekstin e aspiratës për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në familjen europiane.
Ndërkohë, në Vlorë, Rama pritet të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të ngritjes së Flamurit, e cila është planifikuar të zhvillohet në orën 10:00.
Peleshi: Shqiponja, simbol i lirisë dhe krenarisë së një kombi
Edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët, duke sjellë në vëmendje simbolin kombëtar që përfaqëson historinë, identitetin dhe unitetin e shqiptarëve.
“Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj”, shkruan Peleshi në mesazhin e tij.
Përmes këtij urimi, ai vë theksin te rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe e trashëgimisë kombëtare, duke kujtuar sakrificat e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Mesazhi shoqërohet me një vepër arti në xham, të realizuar nga mjeshtri Vasil Dhiamandi, ku shqiponja dykrenare merr formë përmes mjeshtërisë artistike. Vepra përcjell simbolikën e flamurit shqiptar dhe lidhjen e tij me historinë e brezave.
Në urimin e tij, Peleshi nënvizon rëndësinë e identitetit dhe të ndjenjës së përkatësisë kombëtare, duke përcjellë mesazhin se pavarësisht kohës dhe ndryshimeve, simboli i shqiponjës mbetet një element që bashkon shqiptarët kudo ku ndodhen.
Marco Rubio uron shqiptarët: SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë
Një urim për 114-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në një deklaratë zyrtare, ai ka përcjellë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës urimet më të ngrohta për popullin shqiptar, duke vlerësuar partneritetin strategjik mes dy vendeve.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë”, thuhet në deklaratën e Rubios.
Kryediplomati amerikan thekson se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve janë të ndërtuara mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve të dy vendeve.
Ai shprehet gjithashtu se Uashingtoni mirëpret thellimin e bashkëpunimit me Tiranën në çështje të rëndësishme të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Në deklaratën e tij, Rubio ndalet veçanërisht te lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe kërcënimeve kibernetike, duke vlerësuar përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve.
“Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike”, shprehet Rubio.
Në vijim, ai thekson se Shtetet e Bashkuara presin të thellojnë më tej marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht”, përfundon deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit.
Mesazhi i Rubios vjen si një tjetër konfirmim i rëndësisë që Uashingtoni i kushton partneritetit me Shqipërinë, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe përballimit të sfidave që lidhen me krimin ndërkombëtar dhe hapësirën kibernetike.
Ceremonia e ngritjes së Flamurit në Vlorë, Rama i pranishëm në aktivitet
Qyteti i Vlorës është edhe këtë vit në qendër të festimeve për Ditën e Pavarësisë. Në orën 10:00 është parashikuar ceremonia tradicionale e ngritjes së Flamurit, në vendin ku 114 vite më parë Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Ceremonia përbën një nga momentet më simbolike të festimeve të 28 Nëntorit, pasi rikthen në vëmendje ngjarjen që shënoi lindjen e shtetit shqiptar dhe përpjekjet e gjata të lëvizjes kombëtare për shkëputjen nga Perandoria Osmane.
Në aktivitet pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ceremonia përkujton figurat historike që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë dhe në konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.
Vlora mbetet qyteti simbol i kësaj feste, pasi pikërisht aty u mblodh Kuvendi Kombëtar më 28 nëntor 1912 dhe u nënshkrua Akti i Pavarësisë.
Si u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912
Shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 ishte kulmi i një procesi të gjatë historik dhe politik për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur.
Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane po përballej me dobësim të thellë, ndërsa zhvillimet në Ballkan dhe Luftërat Ballkanike rrezikonin drejtpërdrejt territoret shqiptare. Përballë përparimit të ushtrive fqinje dhe rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare, përfaqësuesit e lëvizjes kombëtare intensifikuan përpjekjet për shpalljen e pavarësisë.
Ismail Qemali, një prej figurave kryesore të lëvizjes kombëtare, u nis më 19 nëntor 1912 nga Triestja drejt Shqipërisë, me synimin për të organizuar shpalljen e Pavarësisë.
Më 21 nëntor ai mbërriti në Durrës, ku situata politike dhe ushtarake ishte e tensionuar. Fillimisht ishte menduar që shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit të bëheshin në Durrës, por zhvillimet në terren dhe përparimi i forcave serbe drejt Shqipërisë së Mesme e bënë të domosdoshëm ndryshimin e planit.
Për këtë arsye, Ismail Qemali u kërkoi delegatëve nga trevat shqiptare të drejtoheshin drejt Vlorës, qytetit ku do të mbahej Kuvendi Kombëtar.
Ndërkohë, në disa qytete të vendit, patriotët shqiptarë ngritën flamurin kombëtar përpara mbledhjes së Kuvendit të Vlorës. Kjo ndodhi në Elbasan më 25 nëntor, në Tiranë dhe Durrës më 26 nëntor, si dhe në Kavajë, Peqin e Lushnjë më 27 nëntor.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë u mblodhën përfaqësuesit e krahinave të ndryshme shqiptare. Në Kuvend morën pjesë 83 delegatë, ndërsa 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
Në dokumentin historik u shpall vendimi për krijimin e Shqipërisë së pavarur, duke shënuar një kthesë vendimtare për fatin e kombit shqiptar.
Në aktin e shpalljes, delegatët deklaruan:
“Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali u vendos në krye të qeverisë së parë shqiptare, duke nisur një kapitull të ri në historinë politike të vendit.
28 Nëntori, dy ngjarje historike në një datë
Data 28 nëntor ka një rëndësi të veçantë në historinë shqiptare edhe për shkak të një ngjarjeje tjetër të ndodhur shumë shekuj më parë.
Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu mori kontrollin e Krujës dhe ngriti flamurin me shqiponjën dykrenare mbi kalanë e qytetit, duke shënuar një moment të rëndësishëm të qëndresës shqiptare kundër Perandorisë Osmane.
Plot 469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i njohur edhe si Nëntori i Dytë, Ismail Qemali ngriti të njëjtin flamur në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Këto dy ngjarje, të ndara nga shekuj, janë ndër momentet më të rëndësishme të kujtesës historike shqiptare. Ato përfaqësojnë qëndresën, lirinë, identitetin dhe përpjekjen e vazhdueshme për vetëvendosje.
114 vite pas shpalljes së Pavarësisë, 28 Nëntori mbetet një ditë bashkimi për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, një moment për të kujtuar sakrificat e së kaluarës dhe për të reflektuar mbi të ardhmen e Shqipërisë.
Në emër të Redaksisë gazeta17nëntori.com, ju urojmë “Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë!”