Arshonzh Bintsuka është në radarët e dy klubeve polake. Bëhet fjalë për Legian e Varshavës dhe Slak Vroclav.cNë Poloni kanë zbuluar prapaskenat, për një lëvizje që në rast se konkretizohet do të jetë e bujshme. Slak Vroclav ka trokitur në klubin e “demave” me ofertën për lojtarin e përfaqësueses kongoleze, që tregohet të jetë refuzuar.
Nga Partizani janë larguar Cara, Mba dhe Piloto. Kështu Bintsuka shihet si alternativë kryesore për majën e sulmit, ndërsa ka mbetur i vetëm me Kekon. Kjo është dhe një arsye përse tratativa për transferimin kongolezit, mbetet e vështirë për finalizimin.
Ishte pikërisht Bintsuka që shënoi në takimin e fundit të Superiores kundër Skënderbeut, ndërsa gjithçka u mbyll me barazim(1-1). Ndërkohë ndaj Apolonisë për Kupë, kongolezi nuk ndodhej as në stol. Veselinoviç tregoi në konferencë për shtyp se 22-vjeçari ishte i sëmurë.
Partizani është klubi që ka arkëtuar më tepër të ardhura në këtë merkato. Janë larguar lojtarët kryesorë për pozicionet e tyre si Hadroj, Rrapaj, Cara dhe Mba. Të katërt po e vazhdojnë karrierën në Ukrainë. Në rast se dhe Bintsuka largohet, atëherë do të ishte rekord nga një klub i Superiores, për numrin e lojtarëve të shitur në janar.
BINTSUKA- “Panorama Sport” sjell karrierën e sulmuesit, pas largimit nga Kongo. Bëhet fjalë për lojtar që ka bërë mirë në minutat që i janë besuar.
Të kuqtë e afruan kongolezin 3 vite më parë, pikërisht në janarin e vitit 2022. Asokohe ishte 19-vjeç dhe qëndroi për gjysmën e sezonit të mbetur te ekipi U-21. Për edicionin 2022/23, kryeqytetasit vendosën ta huazonin shtatlartin te Drenica në Kosovë ku tregoi dhe potencialin. Me 7 golat e tij ishte golashënuesi kryesor i skuadrës.
Partizani kthye Bintsukën në sezonin e kaluar(2023/24). Goli i tij i parë u shënua ndaj Astanës ku të kuqtë ishin pranë kualifikimit historik në Ligën e Konferencës. Ai takim në “Elbasan Arena” do të mbyllej 1-1.
Bintsuka e mbylli sezonin e tij të parë si lojtari me më tepër gola te Partizani. 10 herë shënoi në total përgjatë kampionatit. Një prej tyre ishte i vetmi i sfidës me Skënderbeun(1-0), që dërgoi Partizanin përballë Egnatias në finalen e “Final Four”.
Bintsuka ka shënuar 5 gola në kampionat këtë sezon dhe askush nuk ka bërë më mirë te “demat”. Kongolezi ka nisur vetëm 7 ndeshje nga minuta e parë. Dhe pse nuk është preferuar gjithmonë nga minuta e parë, duhet thënë se rezulton sulmuesi më efikas, që një ndër pikat e forta ka goditjet me kokë.
Legia dhe Slak Vroclav po zhvillojnë një kampionat me objektiva të ndryshëm. Legia është në vendin e katërt me 6 pikë më pak se kryesuesit, ndërsa Slak Vroclav mban vendin e fundit në renditje.