Deputetja e zgjedhur e PDK-së¸ Blerta Deliu-Kodra, ka folur rreth mundësisë së formimit të Qeverisë së e, duke thënë se janë të gatshëm si PDK ta formoj Qeverinë, nëse VV dështon ta bëjë atë.
‘’Deri tash kemi parë prej zhvillimeve në raport për përpjekjet për ta bërë Qeverinë. Janë përpjekje të z.Kurti për ta bërë Qeverinë, Kurti ka organizu takime nga partitë minoritare, ndërkohë partitë opozitare, kanë pasur takime në përpjekte të harmonizimit të qëndrimeve për bashkëqeverisje’’ thotë ajo.
Ajo thotë se tashmë kanë pranuar ftesë nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca, për një takim në javën e ardhshme, por që thotë se preferenca e PDK-së është formimi i Qeverisë nga opozita.
‘’E drejta i takon VV-së, në rast se përpjekjet e saj dështojnë, radha i takon PDK-së. Kemi ftesë nga Konjufca në drejtim të kryetarit tonë. Preferencat tona janë që qeverinë ta bëjë opozita’’ shton ajo.
Deliu potencon se kanë hendek sa i përket një koalicioni me VV-në dhe se sipas saj, java tjetër do i definoj të gjitha gjërat.
‘’Kemi deklaruar se kemi hendek me VV dhe nuk preferojmë Qeverisje me ta. Java që vjen do e definoj gjithë përpjekjen për ti dhënë epilog këtyre zhvillimeve. Bazuar në rezultatet zgjedhjeve, VV i takon hera e parë, e nëse ajo dështon, pastaj e drejta i takon PDK-së. Po e them hipotetikisht, por nëse i kthehemi fushatës tonë, përpjekjeve tona, që republika ta kthej vetën në binarët e saj, me gjitha këto pengesa, natyrisht që përpjekjet tona janë që partitë opozitare ta kenë mundësi ta bëjnë Qeverinë’’ shton ajo për FrontOnline.
Deputetja e PDK-së, thekson se partia e saj ka lëshuar disa herë pe sa i përket pozitës së kryeministrit dhe janë të interesuar që Qeverinë e re ta udhëheq kandidati i tyre, Bedri Hamza.
‘’E kam të vështirë të flas për situata hipotetike. Kemi lëshuar pe disa herë nga vullneti i qytetarëve të Kosovës që e kanë votuar sot, por të tërën do e shohim në Kuvend. E gjithë fushata jonë ka qenë në programin zgjedhor që e ka udhëhequr z.Hamza, prandaj unë besoj se një program i tillë do e këndellte Kosovën nga gjendja në të cilën është sot, prandaj në të mirën e qytetarëve do të ishte një qeverisje e udhëhequr nga Bedri Hamza’’ u shpreh ajo.