Akuzat ndaj ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, se kishte kërkuar para në këmbim të sigurimit të “aksesit” në administratën Trump, të cilat u pasuan me largimin e saj nga detyra, polemikat për konsulencat jashtë vendit të strategëve elektoralë Chris LaCivita dhe James Blair, si dhe emailet e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Christopher Landau, kundër të dërguarit special Paolo Zampolli, të cilat dolën në dritë vetëm pak orë përpara shkarkimit të këtij të fundit. Shtëpia e Bardhë po përjeton një periudhë përplasjesh të ashpra të brendshme, ku edhe e ardhmja e shefes së stafit, Susie Wiles, është kthyer në objekt spekulimesh.
Rasti më i fundit lidhet me Katie Zacharia, zëdhënësen e re të emëruar nga Trump pa u konsultuar më parë me Wiles. Pas një konference të parë katastrofike për shtyp dhe kritikave se ishte prezantuar si avokate, ndonëse nuk kishte kaluar provimin e licencimit për ushtrimin e profesionit, ajo iu nënshtrua një interviste të ashpër në Fox News nga Sean Hannity, mik i presidentit. “Ndoshta roli i zëdhënëses nuk është për të”, deklaroi dje Trump. Ai u kishte treguar gazetarëve se e kishte këshilluar zëdhënësen e tij të rimendonte vendimin. “Të them të drejtën, po të isha në vendin tënd, do ta mendoja edhe një herë. Katie, a të duhet vërtet kjo? Nuk besoj”, tha Trump, duke rrëfyer bisedën që kishte zhvilluar me të.
Vetëm pesë ditë pas emërimit, Zacharia u shkarkua, duke thyer edhe rekordin e Anthony Scaramucci, i cili në vitin 2017 qëndroi vetëm 11 ditë në postin e drejtorit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë.
Një tjetër rast përfshin Alina Habba, ish-avokaten e Trump, e cila ka ngritur shqetësimin se 5,6 milionë dollarë, që sipas saj bashkëshorti i kishte dhuruar Qendrës Kennedy, nuk rezultojnë të kenë mbërritur në institucion. Sipas Axios, regjistrat financiarë nuk dokumentojnë një donacion të tillë. Në to figuron vetëm një angazhim për dhurimin e 270 mijë dollarëve, shumë që më pas është paguar. Richard Grenell, ish-drejtor ekzekutiv i Qendrës Kennedy, mohon çdo përfshirje në këtë çështje. Trump i ka kërkuar këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë të shqyrtojë akuzat.
Por përplasja më e rëndësishme lidhet me të ardhmen e Susie Wiles. Sipas Politico, Trump ka diskutuar me miq dhe aleatë të tij mundësinë e zëvendësimit të shefes së stafit, duke shqyrtuar disa emra të mundshëm. Mes tyre përmenden Stephen Miller, Randy Levine, president i klubit të bejsbollit New York Yankees, Steve Witkoff, Bill Pulte dhe Kevin McCarthy.
Pulte, drejtor i Agjencisë Federale të Financimit të Banesave (Federal Housing Finance Agency), i paraqet shpesh Trump propozimet e tij përmes tabelave të mëdha ilustruese, madje edhe kur presidenti ndodhet në fushën e golfit apo në bordin e avionit presidencial.
Megjithatë, presidenti amerikan e ka cilësuar raportimin si «fake news» (lajm i rremë) dhe deklaroi dje se nuk do ta shkarkojë kurrë Wiles. «Susie është këtu dhe do të qëndrojë për një kohë të gjatë», u shpreh ai.
Wiles dhe rrethi i saj i ngushtë, ku bëjnë pjesë edhe LaCivita dhe Blair, janë gjendur në pozita mbrojtëse për shkak të konsulencës politike që dy strategët kanë ofruar në Republikën Srpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë, i drejtuar nga forca politike proruse.
Fillimisht, Trump kërcënoi se do t’i shkarkonte LaCivita dhe Blair, por më pas e zbuti qëndrimin e tij, duke deklaruar se nuk shihte ndonjë konflikt interesi në aktivitetin e tyre.
Situata ndërlikohet edhe më tej nga një kontratë lobimi me vlerë 35 mijë dollarë në muaj, që kompania Continental Strategy ka lidhur me Republikën Srpska. Në këtë kompani është ortake edhe Katie, vajza e Susie Wiles. Kompania pretendon se marrëdhëniet me zyrtarët amerikanë janë menaxhuar nga një ortak tjetër.
Sipas Washington Post, kundërshtarët e Wiles, LaCivita dhe Blair kanë nxitur dyshimet e Trump ndaj tyre, duke i përcjellë presidentit artikuj kritikë të publikuar në media.
Mes rivalëve të Wiles përmendet edhe Corey Lewandowski, ish-drejtues i fushatës elektorale të Trump në vitin 2016 dhe një person i afërt me Bill Pulte.
Disa aleatë të presidentit druhen se këto zhvillime mund të rikthejnë luftërat e brendshme mes këshilltarëve dhe familjarëve të Trump, të cilat karakterizuan mandatin e tij të parë presidencial. Deri më tani, këto përplasje ishin mbajtur nën kontroll falë disiplinës së vendosur nga Susie Wiles.
Ndërkohë, brenda lëvizjes MAGA (Make America Great Again), ka edhe nga ata që shpresojnë se largimi i mundshëm i Wiles nga Shtëpia e Bardhë do të hiqte pengesat për zbatimin e politikave më populiste dhe nacionaliste të administratës Trump.