Besëlidhja është skuadra e parë finaliste në Superligën e basketbollit për meshkuj për edicionin 2024-2025. Pasi dominuan tërësisht në sezonin e rregullt, lezhjanëve u mjaftuan vetëm 3 ndeshje për të kaluar Vllazninë në gjysmëfinalet e “play off”-it.
Skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali fitoi sërish në derbin e veriut, teksa dje i mundi kuqeblutë në shifrat 95-79 në “Asllan Rusi”, duke e vulosur serinë në shifrat 3-0, për të futur në xhep biletën e finaleve. Ky është sezoni i tretë radhazi që Besëlidhja do të luajë në finalet “play off”, me ekipin verior që synon mbrojtjen e titullit.
Sfida e tretë gjysmëfinale nisi në mënyrë interesante, teksa fillimisht ishte Vllaznia që diktoi në lojë. Kuqeblutë shkuan deri në +13 pikë në periodën e parë, për ta fituar më pas 10- minutëshin në shifrat 10-19. Në çerekun e dytë lezhjanët u përmirësuan dhe shumë shpejt u afruan. Perioda u mbyll 29-25 për Besëlidhjen, ndërsa ekipet shkuan në pushimin e madh me avantazhin e Vllaznisë në shifrat 39-44.
Në periodën e tretë do të vinte edhe kthesa e madhe për lezhjanët, teksa skuadra e Bilalit duket se del më në fund në lojën e saj, duke korrigjuar shënjestrën dhe duke u argëtuar në parket. Kështu Besëlidhja e fiton periodën e tretë 34-17, për të marrë epërsinë 73-61 pas 30 minutash lojë. Lezhjanët e kontrollojnë mirë edhe çerekun e fundit, ku fitojnë 22-18, për të vulosur suksesin përfundimtar me +16 pikë, duke u bërë ekipi finalist.
Gjashtë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në kuotë dyshifrore pikësh, ku më të mirët ishin Julian Hamati me 10 pikë e 11 kërcime si dhe Joshua Angle me 16 pikë. Plot 42 pikë për lezhjanët erdhën nga stoli, ndërsa në këtë takim realizuan të 12 lojtarët e aktivizuar.
Për sa i përket Vllaznisë, spikati Arlando Arnold, autor i 23 pikëve dhe 9 kërcimeve, me shkodranët që e mbyllin këtu sezonin. Tashmë Besëlidhja pret të mësojë ekipin kundërshtar në finale, i cili do të dalë nga gjysmëfinalja mes Teutës dhe Apolonisë. Durrsakët e udhëheqin serinë 2-1 dhe janë vetëm një sukses larg kualifiimit.