Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është deklaruar pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ku për herë të pestë radhazi Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhet kryetare e Kuvendit.
“LVV ka vendosur ta mbajë peng shtetin për një emër. E përsëris atë që kemi thënë më herët, Lëvizjes Vetëvendosje i takon të propozojë kryetarin e Kuvendit, por vetëm nëse i ka votat dhe ka krijuar shumicën parlamentare. Mund të propozojnë kë të duan, por nuk mund ta imponojnë emrin, ashtu siç po përpiqen të bëjnë. Vota nuk merret me zor,” tha Krasniqi, raporton IndeksOnline.
Ai shtoi se PDK-ja do të ishte e gatshme të shqyrtonte një kandidat tjetër, nëse VV do të shfaqte vullnet për zgjidhje.
“Le të sjellin një kandidat që është më i pranueshëm edhe për opozitën. Nëse VV me të vërtetë dëshiron ta zhbllokojë situatën, kanë edhe dy kandidatë të tjerë, por duket se qëllimi i tyre është të mbajnë bllokadën. Hapi i parë u takon atyre.”
Krasniqi komentoi edhe takimin konsultativ të thirrur më herët nga Avni Dehari, duke e quajtur jo-produktiv.
“Morëm pjesë në takim, por nuk ishte produktiv. Asnjëherë nuk ka ndodhur që partia që e ka të drejtën për të propozuar, të përpiqet ta imponojë kandidatin. Ata nuk kanë shumicë parlamentare – as 60 vota nuk i kanë, jo më 61. Kanë 57. Tri herë është provuar dhe ka dështuar. Me çfarë logjike po mendojnë të kthehen të premten?”
Kryetari i PDK-së theksoi gjithashtu se vota e deputetit është e lirë dhe nuk mund të imponohet me asnjë kusht.
“Në asnjë mënyrë nuk ekziston ndonjë rregull kushtetues që e imponon votën e deputetit. Deputetët kanë të drejtë të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë – mandati i tyre është i lirë. Kushdo që tenton ta imponojë vullnetin, largohet nga fryma e Kushtetutës.”/IndeksOnline/