Fëmijët në Komunën e Tearcës ende janë duke pritur hapjen e çerdhes. Edhe pse kanë kaluar tre vite që kur filloi të ndërtohet objekti i kësaj çerdhe dhe është përfunduar shumë kohë më parë, megjithatë ende nuk fillon me punë. Pranim-dorëzimi i objektit të çerdhes së re në Përshefcë është bërë që në muajin janar. Ky pranim-dorëzim është bërë nga investitorët drejt shfrytëzuesit, që në këtë rast është Komuna e Tearcës.
Sipas kryetarit të Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, është pritur tre vite të bëhet pranim-dorëzimi i objektit nga financuesit, ndërsa Komuna e Tearcës ka qenë vetëm vëzhgues. Neziri më tej ka njoftuar se që nga muaji janar e këndej, janë ndjekur të gjitha hapat e nevojshme për themelimin juridik të këtij institucioni.
“Është themeluar çerdhja, është regjistruar në Regjistrin Qendror, është regjistruar në Kadastër, kemi hapur xhiro-llogarinë në Ministrinë e Financave, është zgjedhur drejtor i përkohshëm deri në zgjedhjen e drejtorit në mënyrë të rregullt, i cili do të ndjek të gjitha procedurat. Është bërë propozim-sistematizimi, ka kaluar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, pastaj është ridërguar në Ministrinë e Administratës dhe nga këtu duhet të merr miratimin e fundit nga Ministria e Financave”, sqaroi procedurat kryetari i Tearcës, Nuhi Neziri. Ai më tej ka kërkuar nga pushteti qendror që sa më shpejtë të përfundojnë këto procedura, sepse më pas hyjnë në fuqi kufizimet për shkak të zgjedhjeve lokale në muajin tetor.
“Rikthimi i kësaj do të na jep të drejtën e buxhetit që është miratuar për vitin kalendarik 2025 që ta shpërndajmë sipas vendeve të punës. Kjo gjë, sipas planit, duhet të përfundojë brenda muajit prill. Ne kemi patur takime gjatë kësaj kohe dhe kemi kërkuar me urgjencë që të kryhen këto procedura, sepse më pas hyjnë në fuqi edhe kufizimet ligjore për shkak se jemi në vit zgjedhor”, deklaroi Neziri.
Ndryshe, çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tetarcës filloi të ndërtohet në vitin 2021, ndërsa në funksion duhej të vihej në vitin 2023. Çerdhja në Tearcë u ndërtua me fonde të Bashkimit Evropian, në vlerë prej mbi 800.000 euro dhe ka një kapacitet përkujdesjeje për rreth 150 fëmijë.