Flamurtari është shpallur kampion i Shqipërisë në basketboll për femra për edicionin 2024-2025.flamurtari basketVlonjatet fituan 3-0 serinë e finaleve “play off”, kundër Tiranës, për të kurorëzuar me titullin kampion një sezon të shkëlqyer. Vajzat e drejtuara nga Agim Dalipi e shfrytëzuan mbrëmjen e djeshme më së miri në “match point”-in e parë për trofeun, duke mos falur në shtëpinë e tyre. Flamurtari triumfoi me rezultatin 63-53, për ta mbyllur me festë para publikut vlonjat. Ky ishte trofeu i tretë sezonal për bregdetaret, të cilat më parë kishin fituar edhe Superkupën e Shqipërisë, si dhe Ligën Unike. Nga ana tjetër, Tirana e lëshon fronin, të cilin e kishte marrë një vit më parë, duke mundur në finale pikërisht Flamurtarin. Gjithsesi, vajzat bardheblu të trajneres Mirza Alibegaj mund të ngushëllohen me dy trofe në këtë edicion, ndonëse të një rëndësie më të ulët, siç janë Kupa e Shqipërisë dhe ajo e FSHB-së.
WhatsApp Image 2025-04-24 at 09.56.56
NDESHJA – Vlonjatet u futën që në fillim të vendosura dhe me uri për ta mbyllur historinë e finaleve me 3 takime në fushën e tyre. Kështu, Flamurtari i tregoi muskujt që në periodën e parë, duke fituar 20-7 përballë një Tirana me rendiment tepër të ulët ofensiv, që dukej e dorëzuar. Vendëset morën edhe çerekun e dytë 15- 9, duke shkuar në pushimin e madh me 19 pikë avantazh, në shifrat 35-16. Flamurtari e kontrollon mirë lojën në periodën e tretë, fraksion që mbyllet 17-16, me vlonjatet që udhëheqin 52-32 pas 30 minutash lojë. Tirana i zbut disi diferencat në çerekun e fundit, të cilin e merr 11-21, por në shifra të përgjithshme suksesi u takon bregdetareve me 10 pikë.
Më pas ka vend për festën e merituar të vajzave të Flamurtarit para publikut të zjarrtë vlonjat. Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzoi trofeun e kampioneve kapitenes Tea Memushi, me skuadrën e Flamurtarit që i gëzohen suksesit të merituar. Ky ishte titulli i 26-të kampion për Flamurtarin, i 18-ti pas viteve 2000. Ndërkohë, vlerësimi MVP shkoi për Desiree Ramos, autore e 16 pikëve, 3 kërcimeve dhe 6 asistimeve për vendëset, mbështetur nga Jose-Ann Johnson me 12 pikë, 10 kërcime e 4 asistime, si dhe Crystal Thomas me 13 pikë. Me përfundimin e finaleve për femra, sot do të nisë seria në radhët e meshkujve, teksa Besëlidhja dhe Teuta do të luajnë raundin e parë në orën 18:00 në “Asllan Rusi”. (VIDEO) (VIDEO)67ERMAL