E hëna e 28 prillit shënon afatin e fundit për dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore nga subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për Indeksonline se ky është një obligim ligjor për të gjitha subjektet që garojnë në zgjedhje.
Elezi thotë se subjektet duhet të paraqesin raportin financiar të fushatës brenda 30 ditëve kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ.
“Është detyrim ligjor që subjektet politike që garojnë në zgjedhje të dorëzojnë raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ,” ka deklaruar Elezi për Indeksonline.
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur më 9 shkurt 2025 dhe në to kanë marrë pjesë 28 subjekte politike. Afati për dorëzimin e raporteve përfundon më 28 prill 2025.
Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka njoftuar me kohë të gjitha partitë për këtë detyrim ligjor.
“Raportet e fushatës zgjedhore duhet të përfshijnë periudhën nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, 16 gusht 2024, deri në ditën e zgjedhjeve, 9 shkurt 2025,” shtoi Elezi.
Raportet do t’i nënshtrohen audimit nga auditorë të jashtëm, të përzgjedhur përmes një konkursi të hapur publik, me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së subjekteve politike para qytetarëve