Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse i lënë në heshtje gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, po rikthehet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Shtetet kyçe të Perëndimit po kërkojnë formimin e institucioneve të reja në Kosovë, me qëllim që palët t’i kthehen tryezës së dialogut.
Njohësi i çështjeve politike, Afrim Kasolli, në intervistë për Ekonomia Online, vlerësoi se stagnimi aktual i procesit nuk është i njëanshëm: lidhet si me zhvillimet e brendshme në Kosovë, ashtu edhe me tensionet e mëdha politike në Serbi.
“Tash aktualisht ky proces është në një lloj stagnimi, si për shkak të zhvillimeve të brendshme në Kosovë, ashtu edhe në një farë mënyre për shkak të zhvillimeve të brendshme në Serbi, sepse edhe lideri serb për shkak të protestave dhe zemërimit të publikut ndodhet në një presion të hatashëm të brendshëm”, tha Kasolli.
Ai përmend vizitat e fundit të diplomatëve të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, që sipas tij janë një sinjal i qartë për kërkesën urgjente që palët të kthehen në dialog.
“Disa prej vizitave të burrështetasve kryesorë diplomatëve, që janë bërë kohët e fundit në Kosovë, si ai i sekretarit të NATO-s, ministrit të Jashtëm britanik, të dërguarit të posaçëm të Brukselit për dialogun, Zyra e BE-së, të gjithë mekanizmat ndërkombëtare e kanë bërë të qartë që presin me padurim formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që të dy palët t’i kthehen procesit të dialogut me Serbinë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai.
Sipas Kasollit, edhe tensionet në rritje në Ballkanin Perëndimor janë duke ndikuar në këtë urgjencë ndërkombëtare për zhbllokimin e dialogut Kosovë -Serbi, i cili, sipas tij, nuk ka qenë prioritet as për partitë politike në Kosovë.
“Kjo tregon që kjo temë do të jetë një presion në tavolinë, pavarësisht nga fakti që ishte njëra prej temave që më së paku ishte përmendur gjatë fushatës elektorale nga të gjitha partitë politike. Ishte lënë në harresë”, tha ai.
Kasolli thekson se qeveria e re, cilado qoftë ajo, do të përballet me një trashëgimi të rëndë të obligimeve nga marrëveshjet e Brukselit dhe e Ohrit. Ai vë në pah se pavarësisht nga deklaratat e BE-së për “rishikimin e gabimeve në procesin e dialogut”, topi në këtë fazë mbetet në fushën e Kosovës.
“Në bazë të kushteve aktuale, praktikisht mbi Kosovën bie barra si të krijohen institucionet me automatizëm, ta hedhë hapin fillestar, siç kërkon BE-ja në këtë drejtim, duke dërguar këtë dokument në Gjykatën Kushtetuese që pastaj ajo të vendosë se a është konform normave kushtetuese të vendit apo jo”, tha ai.
Kasolli vë në dukje Serbia vazhdimisht ka shkelur marrëveshjet, sidomos përmes fushatës së saj kundër njohjeve të Kosovës dhe pengesave në integrimin ndërkombëtar të vendit.
“Edhe Serbia i ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme detyrimet e saj, sidomos sa i përket lobimit të saj kundër sigurimit të njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Duhet të jetë e kundërta, sepse dialogu është menduar si mekanizëm edhe për t’i ndihmuar agjendës integruese të Kosovës në planin ndërkombëtar”, tha ai./Indeksonline/