Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, po insiston në zgjedhjen e Albulena Haxhit, edhe atë më votim të fshehtë. Partitë tjera po e kundërshtojnë këtë.
Në orët e vona të 9 shkurtit, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli të festonte në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Ndër tjerash, kreu i LVV-së, Albin Kurti, listoi se çfarë do të bënte në katër vjetët e ardhshëm.
Pak orë më vonë, edhe partitë të tjera dolën me qëndrimet e tyre. I pari ishte kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili kërkoi që opozita e deriatëhershme të bëhej bashkë për ta formuar qeverinë e re.
Por, edhe tre muaj pas, Kosova jo vetëm që nuk e ka Qeverinë e re, por s’ka as Kuvend të konstituuar.
Që nga vonesat në numërim të rezultateve e deri te mospajtimi për postin e kryeparlamentarit, ja çfarë ka ndodhur këta tre muaj.
9 shkurt – Mbahen zgjedhjet parlamentare.
9 shkurt – Lëvizja Vetëvendosje del e para.
15 mars – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
17 mars – Lëvizja Vetëvendosje kërkon rivotimin me postë, Partia Demokratike e Kosovës kërkon të rishqyrtohet një gjobë e dhënë gjatë fushatës, dhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim kërkon anulimin e votave të Partisë së Ashkalinjve për Integrim.
19 mars – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa refuzon ankesat e subjekteve politike.
21 mars – Subjektet politike i drejtohen Gjykatës Supreme me të njëjtat ankesa.
24 mars – Gjykata Supreme refuzon kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.
26 mars – Gjykata Supreme refuzon edhe kërkesat e tjera për rezultatin e zgjedhjeve.
26 mars – Prokuroria nis hetimet për votimin me postë.
27 mars – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet e zgjedhjeve.
27 mars – Lëvizja Vetëvendosje i drejtohet Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës Supreme për votat me postë.
1 prill – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, cakton 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
15 prill – Mbahet seanca e parë konstituive. Formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, por raporti nuk kalon pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë.
17 prill – Mbahet seanca e dytë konstituive. Sërish s’votohet raporti për verifikimin e mandatit të deputetëve.
19 prill – Mbahet seanca e tretë konstituive. Këtë herë votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve, dhe këta të fundit e bëjnë betimin. Albulena Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.
21 prill – Mbahet seanca e katërt konstituive. Lëvizja Vetëvendosje propozon sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo s’i merr 61 votat e nevojshme.
23 prill – Mbahet seanca e pestë konstituive. Albulena Haxhiu sërish dështon të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
25 prill – Mbahet seanca e gjashtë konstituive. Albulena Haxhiu, përkundër kërkesave të partive të tjera, sërish propozohet për kryeparlamentare, dhe sërish dështon të marrë votat e nevojshme.
27 prill – Mbahet seanca e shtatë konstituive. Sërish, Albulena Haxhiu propozohet për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe sërish dështon të marrë votat e nevojshme.
29 prill – Mbahet seanca e tetë konstituive. Vetëvendosje sërish propozon Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo sërish nuk siguron 61 votat e nevojshme.
1 maj – Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë. Këtë herë, Lëvizja Vetëvendosje propozon që votimi për kryeparlamentar të jetë i fshehtë. Ky propozim nuk pranohet nga partitë e tjera.
3 maj – Vetëvendosje përsërit kërkesën për votim të fshehtë të kryeparlamentarit. Partitë e tjera e refuzojnë dhe Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë.
5 maj – Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 11-të. Sërish dështimi vjen pasi Vetëvendosja kërkon votim të fshehtë dhe partitë e tjera e refuzojnë atë.
7 maj – Edhe tentimi i 12-të përfundon njëjtë. Vetëvendosja propozon votim të fshehtë, partitë e tjera e refuzojnë, konstituimi i Kuvendit sërish dështon.
9 maj – E premte, seanca e 13-të konstituive e Kuvendit të Kosovës.