Shqipëria mban sot zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Votimi nisi në 07:00 në të gjithë vendin dhe mbyllet në 19:00. Pas kësaj ore, do të mundet të votojnë vetëm ata që janë në radhë pranë qendrës së votimit. Në mbarë vendin janë ngritur 5,225 qendra votimi.
Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.
114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.
Secili subjekt zgjedhor ka në garë 186 emra të shpërndarë sipas qarqeve. 2046 persona janë kandidatë për parlamentin e ardhshëm, për të zënë 140 karrige Kuvendore. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.
Kandidatët janë në dy grupe: lista e mbyllur, të cilët janë të privilegjuar dhe do të fitojnë të parët mandat sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur, e cila do të dërgojë deputetë në Kuvend nëse partia fiton më shumë karrige se sa emrat që ka në listën e mbyllur. Renditjen e fituesve nga lista e hapur e përcakton vota personale që votuesit mund të japin.
Kryesocialsiti Edi Rama kërkon mandatin e katërt nën udhëheqjen e PS, ndërsa PD me aleatët, të udhëhequr nga Sali Berisha nën koalicionin “Shqipëria Madhështore” kërkojnë të rikthehen në pushtet pas 12 vitesh në opozitë. Në garë janë edhe 9 subjekte të tjera, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Koalicioni euroatlantik i Lulzim Bashës, PSD e Tom Doshit, Shqipëria Bëhet, Lapaj-Shabani, AKSH, Elena Kocaqi, ADR, Edmond Stojku, Partia Atdheu, Mundësia – Agron Shehaj, Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”- Shehi-Alibeaj.
Ka nisur edhe ne qarkun e Lezhës procesi i votimit. Në pjesën më të madhe të qendrave kanë nisur të vijnë votuesit e pare, ndërsa gjithsej janë thirrur për të votuar 164,976 zgjedhës në listat dhe 14,700 nga diaspora. Në total janë 254 qendra votimi.
Në disa prej tyre ka dhe probleme. Konkretisht ne qendrën e votimit nr. 0731 në Pallatin e Kulturës në Lezhë nuk ka nisur ende procesi, pasi nuk funksionin padisja e skanimit te mjeteve te identitetit dhe pritet ndërhyrja e operatorit.
Nis votimi në qarkun e Vlorës, mungesë komisionerësh në disa qendra votimi
Votimi ka nisur edhe në qarkun e Vlorës. Në disa qendra votimi raportohen problematika, pasi ka mungesë komisionerësh.
Zgjedhjet/ Nis votimi edhe në qarkun e Durrësit
Ka nisur votimi edhe në qarkun e Durrësit, i cili zgjedh 14 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Nis pa vonesa votimi në qarkun e Korçës, OSBE vëzhgon procesin në Pogradec
Edhe në qarkun e Korçës, procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare ka nisur pa problematika.
Sipas informacioneve nuk ka bllokime, por pati disa vonesa të vogla, të cilat u rikuperuan pasi të gjitha qendrat tashmë janë të hapura.
Mësohet se OSBE po vëzhgon nisjen e procesit në Pogradec.