Takimi i zhvilluar dje mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive kryesore parlamentare nuk solli ndonjë zgjidhje konkrete për ngërçin politik që po e paralizon Kuvendin e Kosovës. Palët shpalosën pozicionet e tyre, por mbetën larg gjetjes së një konsensusi.
Në takim morën pjesë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Memli Krasniqi deklaroi pas takimit se kishte kërkuar nga Kurti të ndryshojë kandidaten për kryesuese të kuvendit, duke e cilësuar këtë si hap të domosdoshëm për zhbllokimin e situatës. “Nuk pres që kjo të ndodhë. Jemi në të njëjtën situatë”, tha ai.
Edhe Ramush Haradinaj mirëpriti ftesën e presidentes dhe theksoi nevojën për një figurë unifikuese si kandidat për kryetar të kuvendit.
Ndërkohë, Lumir Abdixhiku shprehu zhgënjim me rezultatin e takimit, duke akuzuar partinë në pushtet për mungesë vullneti dhe urgjence në tejkalimin e krizës.
Presidentja Osmani bëri të ditur se, në rast se zvarritja vazhdon, nuk përjashtohet mundësia që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo tha se kishte parë një “disponim minimal” nga liderët për të gjetur një zgjidhje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk komentoi për mediat pas takimit.