Aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë:
1. Dita Ndërkombëtare e Muzeve do të vijë me një aktivitet interesant te MuZEH Lab në Durrës më 18 maj në orën 19:00. Muzeu do të vijë në rrugicat e qytetit me punëtori arti për fëmijë dhe të rritur, instalacione e video ndërvepruese, art kolazh i frymëzuar nga kopshti i MuZEH Lab etj.
2. “E ke idenë o?” është shfaqja teatrore që do të ngjitet në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë më 18, 19 dhe 20 maj në orën 19:10.
3. Shfaqja për fëmijë “Vitaminat e jetës” do të shfaqet te Teatri i Kukullave këtë të diel në oraret 10:30 dhe 11:30.
4. “Busking Balkans: Albania 2025”- Festivali i Arteve të Rrugës në Tiranë këtë të shtunë dhe të dielën vjen në Tiranë. Ai do të mbahet te Parku Rinia dhe te Piramida, ndërsa do të sjellë performanca nga artistë të shquar ndërkombëtarë.
5. Ekspozita “Venus” vijon të qëndrojë e çelur te Muzeu i Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Kuruar nga Lek Gjeloshi, “Venus” është një ekspozitë tematike me vepra nga koleksionet e Dedë Jakovës, Gegë Marubit dhe Pjetër Rraboshtës.
6. “Murgu buzë detit” nga Caspar David Friedrich është përvoja VR që mund ta eksploroni këtë fundjavë te “Kub France” te Piramida në Tiranë. Vepra emblematike e romantizmit gjerman mund të përjetohet përmes udhëtimit nga skica përgatitore deri te tabloja përfundimtare e murgut të vetmuar përballë detit. Ju mund të njiheni me sekretet e zbuluara gjatë restaurimit të 2015: anijet e fshira, rrjetat e peshkimit të hequra dhe të përjetoni transformimin radikal që Friedrich i bëri veprës për të krijuar pamjen e zhveshur që simbolizon vetminë njerëzore.
7. “Endem rrugës për diku”, ekspozita nga Kairo Urovi vijon të qëndrojë e çelur te “Bazament Art Space” në Tiranë.