Kufizimi i Edi Ramës që në listat e mbyllura të zgjedhjeve të 11 majit, të mos kishte deputetë me më shumë se 1 mandat i la dorë të lirë atij të përfshinte emra të rinj, për parlamentin e ardhshëm. Janë 30 që kanë dalë nga këto lista, ndërsa 23 të tjerë, ia dolën vetë pasi luftuan në garë të hapur për të siguruar ulësen e tyre.
Por jo të gjithë janë emra të panjohur në skenën politike. Madje politika, ka ushqyer dhe pjesën më të madhe të këtij brezi të parlamentarësh.
Shumë prej tyre ministra e zv/ministra, kryetar e nënkryetar bashkish apo drejtorë të niveleve të ndryshme të qeverisjes vendore e qendrore.
9 nga deputetët e ardhshëm janë pjesë e kabinetit aktual të Edi Ramës, si ministrat Petrit Malaj, Pirro Vëngu, Ervin Hoxha, Blendi Gonxhja apo edhe dy zëvendës ministra. Pjesa më e madhe të pa sprovuar në terrene zgjedhore.
Pushteti vendor ka shërbyer po ashtu si një tjetër burim furnizimesh, duke i dhënë parlamentit 3 kryetar bashkish. Ervin Demo, Tërmet Peci dhe Agron Malaj I bashkohen parlamentit si deputetë. Pjesa tjetër janë nënkryetarë si dhe kryetarja e këshillit bashkiak të Tiranës, Romina Kuko, të cilës iu rezervua një vend i sigurt në listën e Korçës.
Të tjerë, me eksperiencë të gjatë në administratën publike në nivele të larta, tre prej të cilëve janë drejtorët aktualë të spitaleve rajonale të Vlorës, Elbasanit dhe Durrësit.
Platforma “Deputeti që duam” nxori po ashtu emra që arritën të fitonin vendin në parlamentin e ri, me Sara Milën kandidaten më të votuar të Elbasanit, Zegjinë Caushin në Fier dhe Marjana Koçekun, neomalësoren që kryesoi listën e Shkodrës.
Të pa sprovuar më parë me politikën dhe 4 deputetë të tjerë të rinj që vijnë në nga bota e biznesit si Vasil Llajo, Bujar Rexha, Admir Kadeli dhe Skënder Pashaj.
Mozaikut të profesioneve në parlament i shtohen mjekë, pedagogë, agronomë, inxhinierë e deri tek shkrimtarë.
Por është koha ajo që do të tregojë nëse ky mozaik do të përkthehet në ide të reja, përfaqësim më të ndershëm dhe vendimmarrje më cilësore.