Një shpërthim ka ndodhur brenda rrethimit të burgut të Fushë-Krujës mbrëmjen e së mërkurës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:45, ndërsa dyshohet se është tentuar të dëmtohet gjeneratori, i cili ndodhet në këtë burg.
Fillimisht në polici mbërriti një telefonatë se brenda rrethimit të burgut është dëgjuar një zhurmë e fuqishme, ndërsa në vendin ku ka ndodhur shpërthimi ndodhen disa gjeneratorë dhe kabina elektrike.
Policia ka dyshime se lënda plasëse u hodh nga një person me kapuç nga jashtë ambientit të burgut. Shpërthimi është dëgjuar nga ana e administratës së burgut, ndërsa nuk ka të lënduar në njerëz.
Nga shpërthimi, nuk ka pasur as dëme materiale dhe kjo pasi dyshohet se lënda plasëse mund të ketë qenë në sasi të vogël ose nuk është arritur objektivi, raportoi gazetari i Report Tv Sokol Dema. Por ndërsa kanë kaluar disa orë, ende nuk ka të dhëna për motivet. I vetmi njoftim nga policia mbetet ai i mbremshmi pak pas ngjarjes.
‘Krujë/Informacion paraprak. Rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale’, njoftoi sot policia.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të këtij shpërthimi.