Njësitë speciale dhe ato Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve të Policisë së Kosovës janë duke zhvilluar një operacion të madh në disa qytete të Kosovës.
Aksioni ka nisur mëngjesin e të martës, ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda policisë.
Paparaci mëson se mbi 500 oficerë të njësive speciale dhe të anti-drogës janë pjesë e operacionit.
Njësitet policore janë duke kryer bastisje në disa lokacione në të gjithë vendin. Disa persona të dyshuar për pjesëmarrje në një grup të dyshuar kriminal, janë arrestuar.
Policia e Kosovës tha se gjatë operacionit janë kontrolluar një numër i konisderueshëm i lokacioneve të ndryshme në tri rajone të vendit.
“Pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës (PK), nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor”, ka thënë për Paparacin, Baki Kelani, zëdhënës i policisë.
“Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike”, ka thënë Kelani.
Hetimet penale të Prokurorisë Speciale për këtë rast ndërlidhen me prova të mbledhura nga platforma e komunikimeve të koduara Sky Ecc.
Aksioni është në zhvillim e sipër.